TIRANË - Naureda Llagami, e cila ishte një nga tre emrat më me shumë pikë që kandidonte për postin e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, ka shprehur pakënaqësi për votimin e mbajtur më 30 shtator në Gjykatën e Lartë si organi i emërtesës. Naureda Llagami mori 8 vota, Asim Vokshi 6 ndërsa Florian Ballhysa asnjë votë.
Një votë u konstatua e pavlefshme. Duke qenë se asnjëri nga kandidatët nuk mori 3/5 të votave, Vokshi u zgjodh automatikisht fitues pasi renditej i pari në pikë (89.5 pikë) për të zëvendësuar Holta Zaçajn si anëtar i Kushtetueses. Por një ditë pas mbledhjes, Llagami i është drejtuar Gjykatës së Lartë, duke kërkuar të njihet dhe të pajiset me kopjen e plotë të dosjes që lidhet me mbledhjen e zhvilluar për zgjedhjen e anëtarit.
Në kërkesën e saj, Llagami kërkon që t’i vihen në dispozicion regjistrimet audio të mbledhjes, kopjet e fletëve të votimit dhe çdo dokument tjetër të procedurës. Sipas burimeve, Llagami pretendon se vota e shpallur e pavlefshme i përkiste asaj, dhe se nuk ka marrë 8 vota, por 9, pra 3 më shumë sesa kandidati Vokshi që u shpall fitues me pikëzimin. Kjo votë do t'i jepte asaj mandatin si anëtare e gjykatës.
Gjykata e Lartë ka një rregullore të posaçme për mbledhjen e gjyqtarëve të saj për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo rregullore përcakton po ashtu në mënyrë të detajuar përmbajtjen e fletës së votimit, mënyrës se si ajo duhet të plotësohet dhe kur shpallet e pavlefshme.
Pika 7 e Nenit 12 saktëson se
Gjyqtarët ndjekin rregullat e votimit si vijon:
a) votohet vetëm në fletën e votimit të vënë në dispozicion nga komisioni i votimit;
b) votohet duke vendosur në kutinë përkatëse, përbri emrit të kandidatit të preferuar, njërën nga shenjat “+” ose “x” ose “v”.
Ndërsa pika tjetër nënvizon se “në fletën e votimit nuk duhet të bëhen shënime të tjera, përveç shenjës së votimit”.
Të gjitha këto rregulla mësohet se janë të shkruara edhe në fund të fletës së votimit, bashkë me saktësimin se mos respektimi i tyre e bën votën të pavlefshme
Neni pasues, i detajon dhe më tej rastet e pavlefshmërisë.
Llagami pretendon se në fletën e votimit ishte shënuar dy herë emri i saj, por u shpall e pavlefshme qëllimisht për të ndryshuar rezultatin. Nëse kjo votë do të ishte lexuar siç duhet, sipas Llagamit, ajo të kishte 9 vota, pra 3/5 e votave, dhe do të ishte ajo gjyqtarja e re e Kushtetues dhe jo Vokshi, i cili u zgjodh si i rendituri më lart në pikëzimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Report Tv mëson se fleta e votimit e shpallur e pavlefshme, kishte dy shenja, si në kutinë ku duhej vendosur një nga shenjat e parashikuara nga Rregullorja, dhe një tjetër përpara emrit të zonjës Llagami.
Çështja ngre dy shqetësime jo të vogla, për vetë anëtarët e Gjykatës së Lartë, ose më saktë njërin prej tyre, atë që ka plotësuar fletën e votimit të shpallur të pavlefshme. Në rastin më të mirë, pakujdesia për të plotësuar një fletë fare të thjeshtë votimi, që është e pafalshme për një person që ka arritur majat e gjyqësorit. Në rastin më të keq, mund të konsiderohet dhe si shkelje e fshehtësisë së votës, duke vënë qëllimshëm, një shenjë dalluese.
Report Tv dhe Shqiptarja.com u interesuan pranë Gjykatës së Lartë, e cila bëri të ditur se "i gjithë dokumentacioni i kërkuar ju dërgua pasditen e sotme znj.Llagami".
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente

Mos u merzit, ahahha na kenaqe
Përgjigju