TIRANË - Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e Naureda Llagamit për pezullimin e procedurës së votimit në mbledhjen e Gjykatës së Lartë më 30 shtator, ku u zgjodh anëtari i ri i Gjykatës Kushtetueses. Llagami pretendonte se vota e shpallur e pavlefshme i përkiste asaj, dhe kështu do të kishte 9 votat që do t’i jepnin postin në Kushtetuese. Por Administrativja thotë se kërkesa është jashtë juridiksionit të saj dhe e ka dërguar atë në Kushtetuese.
I renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), gjyqtari Asim Vokshi u shpall automatikisht fitues dhe do të zërë vendin e Holta Zaçajt si anëtar. Por Llagami pretendoi se një votë u shpall e pavlefshme (në të cilën ishte shënuar dy herë) qëllimisht për të ndikuar në rezultat. Sipas saj, nëse vota do të ishte lexuar siç duhet, ajo do të kishte jo 8 por 9 vota, pra 3/5 e votave, dhe do të ishte ajo gjyqtarja e re e Kushtetueses.
Fleta e votimit e shpallur e pavlefshme kishte dy shenja, si në kutinë ku duhej vendosur një nga shenjat e parashikuara nga Rregullorja e Posaçme për mbledhjen e gjyqtarëve të saj për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, dhe një tjetër shenjë përpara emrit të Llagamit, një rreth i cili kishte qarkuar numrin 2, që në renditje i përkiste asaj.
Gjykata e Lartë, në një reagim të saj, theksoi se procesi i votimit ishte zhvilluar sipas rregullave të përcaktuara. Ajo citoi nenin 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”. Të dy këto nene, tha Gjykata e Lartë në parashtrimin dorëzuar në Administrative, “janë rregulla ndalimi absolut: ato nuk lidhen me faktin nëse vullneti është i qartë apo jo, por sanksionojnë pavlefshmërinë nëse në fletë ka një shenjë të dytë ose një shënim shtesë, pikërisht sepse kjo shenjë kompromenton fshehtësinë”.
Sipas Gjykatës së Lartë, “çdo pretendim i ngritur mbi një votë të pavlefshme është i pabazuar juridikisht dhe etikisht diskretitues për kandidaten humbëse”.
Gjykata e Lartë paralajmëroi se marrja në shqyrtim e padisë së Llagamit do të ishte një tentative për ndërhyrje juridiksionale të pashembullt dhe potencialisht të rrezikshme për rendin kushtetues.
Komente

qe tani ne gjykate te larte te ket vote te pavlefshme kjo eshte pak e cuditshme. sepse praktikisht ata jane nga njerezit me te permbajtur te sistemit.. dhe e dine mire se cdo te thote vote e pavlefshme. Kjo nuk mund te ndodhe sipas miltanteve t eSales qe fotografojne dhe voten. Ngjarje te tilla demtojne sistemin. Gjithsesi koha tregon shume gjera.. se kush eshte Sadushi dhe shoket e tij
Përgjigju