Armela Radaçi sot duhet të ishte në shkollë, por ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj 8 vjeçarja zgjodhi të marshojë në rrugët e kryeqytetit. Mesazhi që vogëlushja mbante në duar “Mëso nga të verbrit, shiko me ndjenja” dallonte mes dhjetëra të tjerave në marshimin në Tiranë, në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë.
Armela ishte vetëm 5 vjeç kur humbi shikimin në njërin nga sytë gjatë një incidenti teksa po luante me shokët dhe shoqet e saj në park. Nëna e 8-vjeçares Marsela, me origjinë nga Dibra por, që prej disa vitesh jetojnë në Tiranë tregon për Report TV peripecitë.
“Ka humbur shikimin në njërin nga sytë totalisht. Syri nuk i bëhet më, presim operimin tjetër. Merr 130 mijë lekë, nuk i dalin për asgjë, as ilaçet për të blerë. Kërkoj mbështetje për fëmijët, jam edhe pa shtëpi. Nuk mund t’ia dal dot me këtë 130 mijë lek, kempin e vajzës. Të ardhura kam kempin e vajzës edhe pagën time. Qira paguaj 200 mijë lek”, tregon nëna e saj.
Ndryshe nga Armela, 44-vjeçarja Fëllanxa Kamberi problemin me shikimin e ka të lindur, e megjithatë në moshën 12 vjeçare gjendja u përkeqësua, saqë sot në shumicën e rasteve i duhet shoqërimi i familjarëve për të lëvizur.
“Tek të dy sytë e kam problemin, kam miopi shumë të madhe. E kam të lindur, në klasë të gjashtë më erdhi rëndesa më shumë. Më shoqërojnë vajza, burri për të lëvizur”, thotë Fëllanxa.
Në Ditën e Shkopit të Bardhë të verbrit në kryeqytet marshuan në shenjë sensibilizimi, ku përsëritën edhe njëherë kërkesat e tyre drejtuar institucioneve publike.
Marshim pati edhe në Lezhë, ndërsa kërkesat ishin të njëjta.