Kandidati humbës i ‘BF’, Emri Vata ka falenderuar qytetarët kuksianë që i besuan me votë për postin e kryebashkiakut. Emri Vata thotë se rezultati duhet parë me kujdes duke nënkuptuar që sipas tij ka pasur vjedhje votash.
“Dua të falenderoj, së pari strukturën e Partisë Demokratike në Kukës dhe familjet e tyre për qëndresën dhe mbështetjen në këtë sfidë të pabarabartë në shumë drejtime.
Demokratëve që më dhanë besim duke më votuar, u jam përherë mirënjohës.
Miqve që më mbështetën vazhdoj të jem borxhli dhe mirënjohës.
Përsëritja e asaj që të gjithë bashkë e kemi parë me sy është e panevojshme. Dua të theksoj se vetëm në pushtetin e Edi Ramës skandalet politike, morale dhe shoqërore nuk reflektohen në rezultat, por e thellojnë atë në favor të shkelësve.
Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve, por tabloja e Kukësit të zbrazur në 10 vitet e pushtetit të tyre flet pa pasë nevojë për dorëzanë.
Rezultati i zgjedhjeve, me gjithë deformimet, presionin, shitblerjet e votës, krimin shtetëror duhet lexuar me kujdes.
Ne sot mbyllëm një fushatë, por jo misionin tonë që në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë të kthejmë zgjedhjet e lira.
Uroj që vota e çdo qytetari Kukësian , të mos shpërdorohet.
Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje.
Miqësisht,
Emri VATA”- tha ai
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet në Kukës tjetër shuplakë për Berishën! Albert Halilaj fiton me 5594 vota para! PS shtyn festën pas zisë në Kosovë
G.MO/ReportTv.al