Maja e Murgës, buzë digës së Komanit është një atraksion turistik që sa vjen e shton vizitorët e huaj, të pasionuar me terrenin e thyer. Por, për 8 turistë të rinj nga Holanda, të cilët vendosën të eksplorojnë bukurinë e saj, ishte tejet sfiduese të shtunën, pasi humbën gjatë orëve të pasditeve, pa pasur një guidë për t’i drejtuar në shtigje të sigurta. Për gjetjen e tyre u desh ndërhyrja e policisë dhe zjarrfikësve të Pukës, të cilët i gjetën pas 5 orësh, njëri ishte pickuar nga gjarpri. Guida që i dha jetë turizmit në këto zona, Emanuel Pjetri, tregon për aksionin e shpëtimit të holandezëve.
“U bashkova me policinë dhe u mundova t’ua bëja sa më të thjesht gjetjen e turistëve. Shkuam, i gjetëm, ishin mirë, njëri pak i dëmtuar. Normalisht të frikësuar, kishin mbetur pa ujë, pa ngrënë”, thotë Pjetri.
Një udhëtim i tillë në këtë zonë mund të rezulton fatal, për shkak të terrenit të vështirë. Emanueli thotë se duhet me patjetër mbikëqyrje nga guidat e zonës, dhe vetëm në këtë mënyrë është i sigurt dhe aventuresk.
“U bëj thirrje të gjithë turistëve, si shqiptarë dhe të huaj, që të mos nisen të dalin në mal apo destinacion turistik, pa komunikuar me një guidë të zonës ose lokale pasi po shohim vitet e fundit shumë aksidente me humbje jete”, shprehet Guida.
Grupet e turistëve të huaj shpesh e injorojnë këtë rregull dhe si pasojë hasen në vështirësi. Ky nuk është rasti i parë që të pasionuarit pas turizmit të aventurës përballen me vështirësi në përpjekje për të zbuluar pamjet mbresëlënëse të Majës së Murgës.
“Të paktën 2 apo 3 herë të tjera përveç këtij rasti që ndodhi tani, që kanë humbur rrugën. Janë nis për të Maja e Murgës, por i kam orientuar për të shkuar te mjetet e tyre, si motor dhe makina”
Vitet e fundit, policia u ka ardhur në ndihmë me dhjetëra turistëve, kryesisht në zona të thella malore, ndërsa në rastet më të vështira kanë qenë pa guida dhe duke mos njohur mirë zonat e aventurës.