SPANJË - Sevilla ka vendosur të shkarkojë trajnerin Xavier García Pimienta. Klubi i La Ligas në Spanjë ka katër humbje radhazi dhe disfata e fundit 1-0 kundër Valencias në udhëtim nuk është kapërdirë nga drejtuesit, që kanë vendosur të largojnë trajnerin 50-vjeçar.
Xavier García Pimienta firmosi me Sevillan verën e 2024 duke lënë Las Palmasin, por aventura e tij në krye të andaluzëve zgjati 286 ditë, me 34 ndeshje të drejtuara në total. 11 fitore, 9 barazime dhe 14 humbje ishte bilanci i Garcias në krye të Sevillas.
Kjo është hera e gjashtë që Sevilla ndryshon trajner në tre vitet e fundit. Drejtimin e Sevillas e ka marrë Joaquin Caparros, i cili rikthehet në stolin e kësaj skuadre pas dy aventurave të mëparshme.
Pas 31 ndeshjeve të luajtura këtë sezon në kampionat, Sevilla ka grumbulluar 36 pikë dhe aktualisht qëndron në vendin e 13-të në renditjen e La Ligas.
Komente
