Humbja e thellë e PD më 6 mars, Patozi: Përgjegjës Basha e Berisha, e katandisën partinë në shifra minimale! Nuk kanë ndërmend të largohen, demokratët t'i bëjnë presion

15 Mars 2022, 18:46| Përditesimi: 15 Mars 2022, 20:02

  • Share

Sali Berisha, po aq sa Lulzim Basha, është përgjegjës për humbjen e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Kështu ka deklaruar Astrit Patozi në "Studio LIVE" në Report Tv, me gazetarin Arbër Hitaj, duke theksuar se PD është katandisur me një numër minimal votash, ku të dy ata, Berisha dhe Basha, nuk mundën të marrin as gjysmat e atyre që morën më 25 prill.

"PD sot ekziston në dy copa të mëdha, ku njëra tregoi se ishte shumica e pakicës, copa që kryesohej nga Berisha, ndërsa pjesa tjetër që i takon Bashës arriti një rezultat të paimagjinueshëm më 6 mars. Ky rezultat është përgjegjësi e Bashës, pro dhe atyre që e mbështetën, përfshirë dhe Berishën. Pas Bashës, përgjegjës është Berisha. Sali Berisha për herë të parë në jetën e tij nuk po di se çfarë të bëjë me një fitore, ndërkohë që ai ka ditur të notojë në ujërat e pista të politikës edhe kur ka humbur. Basha dhe Berisha sot kanë gjysmën e votave që kishin më 25 prill, para një viti. Katandisja e opozitës në shifra minimale, është përgjegjësi e dy gjelave që sot udhëheqin copat e ndara të PD", tha ai.

Teksa shumë demokratë i kanë kërkuar Bashës dhe Berishës të bëjnë një hap pas, për Patozin ka pak gjasa që kjo të ndodhë. Duke analizuar atë po ndodh brenda PD dhe Foltores, Patozi thotë se as Basha e as Berisha nuk kanë ndërmend të largohen, duke theksuar se nevojitet që demokratët t'i bëjnë presion. Sipas tij, zgjidhja është një hapje shumë e madhe e PD duke mos i patur nëpër këmbë dy 'shkaktarët e krizës'. Mundësia e bashkimit mes PD zyrtare dhe Foltores, për Patozin nuk ekziston.

"Të dyja palët po luajnë taktikisht, ka një lloj tërheqje nuk ka më duel me tonalitet të larta, por zbutje sepse palët po përgjojnë njëra-tjetrën. Është hedhur teza që të largohen të dy, është një gjë e paracaktuar sepse ata e dinë që kundërshtari nuk do ta bëjë dhe Basha kërkon të fitojë kohë. Berisha shtyu kongresin e tij, pra po kërkon të fitojë nga trazirat. Këto nuk do sjellin ndonjë gjë të re. Duke qenë lëvizje taktike të dyja palët do i ruajnë objektivat e tyre për ekzistencë, nuk kanë ndërmend të ikin. Basha ka gjetur artificën që po nuk iku ai nuk iki as unë. Zgjidhja do të ishte që nëse vetë PD do t'i thërrasë nevojës, t'i bëhet presion shkaktarëve të kësaj krize, Bashës e Berishës dhe të hapte garën edhe për vektorë të tjerë opozitarë që mund të mos kenë qenë kurrë në jetën e tyre në PD. Te PD zyrtare diçka po ndodh, ka një lloj presioni. Nga ana e Foltores nuk pipëtinë asgjë. PD ka nevojë të vendosi që do të ndryshojë, por sot unë nuk po shikoj shenja. Nëse nuk do ketë një lloj lëvizje pajtuese dhe ndërveprimi opozitar, PD e firmos që tani humbjen jo vetëm në zgjedhjet lokale të ardhme, pro edhe të përgjithshmet në vitin 2025. Për herë të parë në PD po artikulohet forca e tretë që është ai fluks i opozitës që është kritik me të dyja palët dhe Berishën dhe Bashën. PD dy rrugë ka, ose të bëjë një mea culpa dhe një hapje shumë të madhe duke mos i patur nëpër këmbë dy shkaktarët e krizës që duhet të bëjnë një hap mbrapa dhe PD duhet të hapet edhe në raport me të tretë. Nuk flasim dot për bashkim të PD, çfarëdo të ndodhë, e kanë shumë afër betejën me njëri-tjetrin", theksoi Patozi.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me Foltoren, Patozi u shpreh se ata po ndjekin situatën brenda PD, duke shpresuar për ndonjë 'tërmet' që do të largonte Bashën, për t'i hapur rrugën atyre. Megjithatë ai thekson se perspektiva e një force politike e drejtuar nga Berisha, është e zymtë.

"Është duke i hedhur benzinë zjarrit në ngjarjet që po ndodhin në PD, me shpresën që atje mund të ndodhi ndonjë tërmet që mund të largojë Bashën nga PD dhe Foltorja mund ta marrë më kollaj. Por nuk është as kjo zgjidhje. Perspektiva e një force politike e drejtuar nga Berisha, është e zymtë", tha Patozi.

PD pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, duke mos mundur të marrë asnjërën nga 6 bashkitë, ndërsa Berisha mori vetëm Shkodrën. Pas zgjedhjeve, një numër i madh deputetësh demokratë i kanë dalë kundër Bashës, duke i kërkuar dorëheqjen.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?