Humbja e thellë e PD në zgjedhjet e 6 marsit, Pedagogu në Report TV: Rezultati 'shuplakë' për Bashën, s'është më i pëlqyer për bazën! Studiuesi: Nëse s'ikën vetë, duhet ta largojnë

8 Mars 2022, 19:08| Përditesimi: 8 Mars 2022, 20:07

  • Share

Partia Demokratike pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, teksa pas kësaj disfate janë shtuar zërat brenda partisë që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës. Pedagogët Eris Çela dhe Mirdaim Axhani, në emisionin 'Studio Live' në Report Tv të gazetarëve Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, thanë se rezultati i zgjedhjeve të 6 marsit ishte i pritshëm.

Pedagogu Çela u shpreh se ky rezultat ishte 'shuplakë' për Bashën dhe tregoi se ai nuk është më i pëlqyer në bazë.

"Një pjesë e mirë e njerëzve e prisnin humbjen, por shifrat ishin alarmante, sot kemi situatë tjetër në PD. Vota e demokratëve në 6 mars tregoi se ai nuk është më i pëlqyer për bazën demokrate dhe një pjesë e mirë e votuesve të djathtë, e bojkotuan procesin. Një pjesë e mirë e votuesve racionalë që votojnë PD, nuk shkoi fare në zgjedhje. PD u përfshi në një përplasje shumë të fortë që krijoi klimë përçarje, një pjesë e mirë e votuesve të PD menduan se kjo betejë nuk vlen për ta, por është betejë për pushtet. Për Lulzim Bashën vota e hedhur në 6 mars është dukshëm një shuplakë që tregon se ai nuk është më i pëlqyer. Njerëzit dhanë një votë reaguese dhe kjo çoi në këtë rezultat. Mendoj që është një votë kundër Bashës", tha ai.

Studiuesi dhe pedagogu Mirdaim Axhani u shpreh se humbja e thellë e PD në zgjedhje është rezultat i vendimeve të gabuara të Bashës gjatë drejtimit të opozitës, duke përmendur djegien e mandateve dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.

"Është gjynah të merresh sot me PD e t'i biesh më shumë, por rezultati është një rezultat shumë i dobët që erdhi si pasojë e gjithë vendimeve që ishin marrë në të kaluarën, që nga djegia e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale, përjashtimi i Berishës nga Grupi Parlamentar dhe Kryesia, përjashtimi i disa figurave të rëndësishme të PD", u shpreh ai.

Të pyetur nëse Basha duhet të rri në krye të partisë, apo të largohet, pedagogët thanë prerazi se ai duhet të bëjë një hap pas e të tërhiqet. Axhani shtoi se nëse ai nuk ikën vetë, duhet ta largojnë, duke e konsideruar si një zhvillim pozitiv shtimin e zërave brenda PD që kërkojnë largimin e kryedemokratit.

"Është një situatë absurde, nuk e di se kush e këshillon, se çfarë dore të padukshme pret ai që të ketë ndikim dhe ai të bëjë ristrukturim ndërkohë që po afrojnë zgjedhjet lokale. Të ndodhi me zgjedhjet parlamentare, me ato lokale, iku 25 prilli, erdhën zgjedhjet e pjesshme... e të vazhdosh prap ta besosh..., nëse Basha ka ndarë mendjen mos të largohet, duhet ta largojnë. Më vjen mirë që ka zëra që, edhe mbështetësit më të flaktë, i thatë 'stop'", tha Axhani.

"Është bërë e rëndomë ky togfjalëshi 'të mbajmë përgjegjësi'. Kur mban përgjegjësi duhet të bësh një akt, Bashës i takon të bëjë një hap pas e të tërhiqet, ka nevojë për një ndryshim të madh. Kështu siç janë nuk fitojnë kurrë. Rreziku më i madh është të shkojmë drejt një vendi autokratik, me një opozitë kukull. PD po shuhet, nuk mund të fitojnë zgjedhje në këtë formë", theksoi Çela.

Partia Demokratike në drejtimin e Lulzim Bashës pësoi humbjen e 6 radhazi në zgjedhje. PD-ja doli forcë e 3-të në 5 Bashki (përveç Rrogozhinës), duke u mundur jo vetëm nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, por edhe nga ish-aleati i tij, Sali Berisha që i mori Bashkinë e Shkodrës me Bardh Spahinë. Basha refuzoi që këtë ta quante humbjen e radhës, duke thënë se ai "nuk kishte humbur në jetën e tij asnjë garë, por thjesht ishte përballur me masakra elektorale" e ku 6 marsin e quajti 'kurth'.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?