Humbja e thellë në 14 maj, Meta: Proces i mirëorkestruar! U ble mbështetja e VIP-ave dhe miliona euro u shpërndanë si bonuse në mënyrë të paligjshme

22 Maj 2023, 18:47| Përditesimi: 22 Maj 2023, 23:07

  • Share

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbledhur ditën e sotme kryesinë e partisë për të diskutuar mbi rezultatin e zgjedhjeve në 14 maj dhe shkaqet e humbjes së thellë të koalicionit 'Bashkë Fitojmë'. Sipas Metës, disa prej shkaqeve të humbjes në 14 maj, ishin dhjetëra miliona euro të shpërndara si bonuse në mënyrë të paligjshme dhe ‘blerja’ e mbështetjes së artistëve të njohur shqiptarë të cilët shprehën simpatinë e tyre për Erion Veliajn në Tiranë.

“Një armatë e tërë ministrash, drejtorë, sulmuan qendrat e votimit edhe ditën e votimit duke bërë presion hapur.  Dhjetëra miliona euro u shpërndanë si bonuse në mënyrë të paligjshme. Mijëra punësime shtesë u bënë enkas për qëllime elektorale.  Dihet se sa milion lekë u ndanë për gjoja ndihma ekonomike. Dihet sa pensione u dhanë edhe pa mbushur dokumentet. Dhjetëra miliona euro u hodhën për asfalt elektoral edhe në mes të Tiranës, për të blerë mbështetjen e vipave për partinë në pushtet dhe kandidatët e saj. Mijëra pronarë biznesesh u gjobitën rëndë nga partia në pushtet”

Duke përsëritur akuzat e tij ndaj qeverisë për blerjen e votave duke përdorur miliona euro si bonuse, Meta tha se koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ do të vijojë me kontestimet e rezultateve në bashki të ndryshme ku sipas tij është ndryshuar vullneti i qytetarëve.

Sa i takon rezultatit në zgjedhje, Meta u përqendrua më së shumti tek mandatet e fituara nga opozita në këshillat bashkiakë, gjë që sipas tij do rikthejë transparencën në bashkitë e vendit.

“Një rol shumë të rëndësishëm luajtën burgjet për të devijuar rezultatet e votimit në minutat e fundit kur rasti më ekzemplar është kutia e fundit e Rrogozhinës ku u përmbys vullneti i qytetarëve të lirë, nga qytetarë e marrë peng në burgje. Është detyra jonë të vazhdojmë kontestimin ligjor të cdo rezultati që ka shkelje. Do përgatitemi të rikthejmë zërin e opozitës në pushtetin vendor, një zë që nuk ekzistonte për 4 vite. Përfaëqësues të opozitës dhe të PL-së tashmë janë këshilltarë në të gjitha bashkitë e vendit, të përgatitemi që llogaridhënia dhe transparenca të nisë që në ditën e parë. Të nisë transparenca në lidhje me buxhetin e shkuar të bashkive.

Sipas tij, humbja e thellë e 14 majit, ka qenë një proces i mirëokestruar që ka nisur që nga djegia e mandateve të opozitës në 2019-ën dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore në të njëjtin vit.

“Ka qenë një proces i mirëorkestruar që nga djegia e mandateve dhe dhënia e parlamentit për 2 vite me rradhë në dispozicion të rilindjes për të qepur një 14 maj. Falë pushtetit vendor në 4 vite, bojkoti i reformës në drejtësi që nuk funksionin ndaj Rilindjes që shkel ligjin. Vepron edhe atëherë kur duket si e paanshme me telekomandë të rilindjes për larje hesapesh brenda tyre”- u shpreh Meta.

Ilir Meta në koalicion me Sali Berishën nën siglën ‘Bashkë Fitojmë’, arritën të fitonin vetëm 7 bashki në të gjithë vendin, duke shënuar kështu humbjen më të thellë të opozitës në zgjedhjet vendore të organizuara në vend. Meta po ashtu si Berisha nuk pranon humbjen, me pretendimin se ka pasur një ndikim të thellë nga bandat dhe nga vetë qeveria për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve. Deri më tani nga ana e Bashkë Fitojmë është kërkuar rinumërim i votave për kryebashkiakë në bashkitë e Belshit dhe Rrogozhinës.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?