Barcelona u mposht të enjten 2-1 nga Monaco në Principatë, me duelin që vlente për raundin e parë të Champions League në formatin e ri. Pas takimit, trajneri Hansi Flick i spanjollëve tha se Monaco e meritoi fitoren, ndërsa ekipi i tij duhet të bëjë më të mirën në shtatë ndeshjet e mbetura të këtij kompeticioni.
Përballja u komplikua për katalanasit që pas 11 minutave lojë, kur Eric Garcia la Barcelonën me një lojtar më pak.
"Me kartonin e kuq (të Garcias) loja ndryshoi krejtësisht, por unë mund të shoh gjërat pozitive. Ne u përpoqëm të mbroheshim si ekip dhe të sulmonim si ekip. Kishim shanse, por ata e meritonin të fitonin", u tha Flick gazetarëve.
"Unë i kam thënë skuadrës që të ngrejë kokën lart sepse janë të zhgënjyer, por ne duhet të përqendrohemi të dielën (ndeshja e La Liga në Villarreal), e cila është ndeshja jonë e radhës. Është koha për t'u rikuperuar, shpresojmë se lojtarët do të kthehen me shumë energji", tha Flick.
Gjermani kërkon nga të tijtë që të bëjnë më të mirën në shtatë ndeshjet e mbetura.
“Ne jemi mjaft të fortë për të luajtur një Ligë të mirë të Kampionëve, kemi shtatë ndeshje përpara dhe mendoj se do të fitojmë shumë ndeshje”, tha trajneri me optimizëm.
Barcelona pret Young Boys në ndeshjen e ardhshme të fazës së dytë të Champions League.