Milan dhe Newcastle luajnë nesër në 18:45 për raundin e parë në grupin F të Champions League. Kuqezinjtë duket se janë gati për përballjen e radhës, teksa do duhet të dalin para tifozëve të tyre pas humbjes 5-1 në derbin kundër Interit.
Për mediet, trajneri i Milanit, Stefano Pioli tha se duhet të harrohet ndeshja kundër zikaltërve, me fokusin që do duhet të jetë vetëm në Champions. Zlatan Ibrahimovic ishte prezent sot me ekipin, për të karikuar lojtarët.
-Rikthehen netët e Champions League, a keni ndryshuar nga ndeshja e fundit?
Duhet ta bëjmë, por nuk ishte e lehtë sepse kishim shumë besim në lojën tonë. Ishte një zhgënjim i madh, por “për fat” kemi Ligën e Kampionëve. Ne po përgatitemi për sfidën me përqendrim dhe vëmendje sepse e dimë se sa i vështirë është ky grup.
-Sa i kënaqur ishit që kishit Ibrën në Milanello sot?
Ai duhej të vinte të premten, pastaj pati një pengesë. Është një kënaqësi e madhe që e kemi këtu, ne e dimë se çfarë na ka dhënë dhe prania e tij është gjithmonë e mirëpritur. Nuk jam më trajneri i tij, jemi miq dhe do shihemi për darkë.
-A është ky momenti juaj më i vështirë në Milan?
Kam pasur shumë momente të mira dhe disa të vështira. Ndjej një barrë të madhe për rezultatet në derbi, do të jepja gjithçka për t'i ndryshuar, por kështu shkoi. E di që skuadra është shumë e fortë dhe do të ketë aftësinë për të reaguar dhe për ta kapërcyer këtë derbi. I jam borxhli tifozëve sepse vitin e kaluar kur luajtëm shumë keq ata gjithmonë na përkrahën dhe sepse kam humbur më shumë derbi se kushdo tjetër. Do japim maksimumin si gjithmonë.
-Si do të jetë të shohësh sërish Tonalin?
Do të jetë emocionuese për të gjithë. Ne fituam dhe u rritëm së bashku. I urojmë më të mirat në ndeshjen e radhës.
-Afrimet e reja a kërkonin më shumë kohë për t'u njohur me rëndësinë e derbit?
Jo, unë besoj absolutisht të kundërtën. Ne që kishim luajtur në derbet e mëparshme e vuajtëm më shumë sepse kishim peshën e rezultateve të mëparshme. Djemtë e rinj ishin më të qetë, por jo më pak të përqendruar. Kur ishim 1-3 ndeshja ishte më e vështirë, por ishte vetëm një Milan që nuk u shpreh se çfarë mund të bënte.
-Çfarë i tha Ibra grupit dhe trajnerit?
Kjo është një ditë e rëndësishme e përgatitjes. Ai foli me lojtarët individualisht, por nuk mbajti fjalim në grup. Ai foli me mua dhe më pyeti për lojtarët e rinj, por asgjë në veçanti.