Arbitrazhet vijojnë të mbeten një sfidë për shtetin shqiptar. Nga 14 padi që ka shteti në arbitrazhin ndërkombëtar, për 9 prej tyre është dhënë vendimi, dhe 5 janë ende në proces gjykimi.
Nga çështjet e gjykuara Shqipëria ka humbur 5 prej tyre, të cilat i kanë shkaktuar një dëm financiar buxhetit 388.5 milionë euro. Por për të gjitha këto gjyqe të humbura Avokatura e Shtetit nuk ka informacion nëse janë njohur apo jo pranë Gjykatave të Apelit vendase.
“Thuajse për të gjitha rastet Avokatura e Shtetit nuk dispononte informacion të plotë mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit vendase, si dhe ecurisë së ekzekutimin të tyre”, thuhet në auditimin e KLSH-së.
Avokatura e shtetit nuk ka asnjë informacion sipas KLSH, as për 4 gjyqet e fituara në Arbitrazh nëse janë njohur nga Gjykatat e Apelit, për pasojë shteti nuk rimbursohet për kostot e paguara gjatë procesit gjyqësor.
“Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave kanë të bëjnë me njohjen e të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor dhe nuk janë vlera financiare shtesë të fituara”, thuhet në auditim.
Një tjetër shqetësim i ngritur në auditim është edhe fakti se Avokatura e Shtetit nuk ka bërë ndonjë analizë të arsyeve pse janë humbur gjyqet dhe të nxirren shkaktarët e përgjegjësitë. Për këtë arsye, KLSH kërkon që të merren masa për analizimin e dosjeve gjyqësore dhe të informohet Këshilli i Ministrave për shkeljet dhe mosveprimet e institucioneve respektive vendase në mënyrë që të shmangen veprimeve të padrejta dhe abuzive në të ardhmen.