Një në pesë punonjës që u aksidentua vjet në vendin e punës humbi jetën. Situatë e përkeqësuar krahasuar me vitin 2022, kur ky raport ishte 1 në 6 punonjës. Në total gjatë vitit 2023, u regjistruan 168 aksidente në punë, 30 me pasoja fatale për jetën, ku shumica ishin në sektorin e ndërtimit, industrinë prodhuese e miniera.
Pikërisht këto sektorë do të jenë në fokus të hetimeve dhe kontrolleve të vazhdueshme të detajuara për të verifikuar sesa e garantojnë shëndetin e punonjësve në vendin e punës.
Në strategjinë e re që po harton Ministria e Ekonomisë për sigurinë dhe shëndetit në punë 2024-2030 dhe planin e veprimit, vëmendje e shtuar do ti dedikohet inspektimeve në sektorët me numrin më të lartë të aksidenteve në vendin e punës.
Në një draft të përmbledhur që Report TV e disponon thuhet se synohet ngritja e një sistemi të fortë për hetimin dhe raportimin e aksidenteve në punë, pasi sistemi aktual nuk ka rezultuar plotësisht efektiv në këtë drejtim.
Në draft thuhet se synimi do të jetë tek sektorët ekonomikë ku mbizotërojnë aksidentet dhe sëmundjet në punë, veçanërisht ngjarjet më të rënda, në sektorë të tillë si. Ndërtimi, Bujqësia, Minierat dhe Transporti. “Krahas rrezikshmërisë së lartë të veprimtarisë së tyre, këta sektorë shpesh paraqesin probleme të veçanta në lidhje me marrëdhëniet e punës”, thuhet në këtë draft.
Kjo strategji e re do të synojë marrjen e masave për të ulur aksidentet, për të nxitur denoncimin e rasteve kur ndodhin, si dhe mes institucioneve do të koordinohen hapat për të garantuar kushte më të mira pune. Pjesë e planit të veprimit do të jetë edhe ngritja e një Këshilli Ndërinstitucional, pjesë e së cilit do të jenë punonjës e punëdhënës, i cili do të ketë rol të rëndësishëm edhe në hetimin e aksidenteve.
Kjo strategji do të jetë e ndarë në 5 kapituj, dhe pritet që të kalojë në Konsultim Publik në javët në vijim, pasi është diskutuar edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës pak ditë më parë.