“Humus”, një shfaqje me 23 balerinë me koreografi të Julind Dervishit do të ngjitet me trupën e baletit të Teatrit Kombëtar të Operës në Tiranë.
Baleti është konceptuar për të shprehur përmes gjuhës së trupit në instalacione koreografike ekspresive dhe dramatike thirrjen për një planet të pastër.
"'Humus' është një balet i frymëzuar rreth natyrës. Është një balet për të mirën që na sjellë natyra dhe për gjërat e këqija që ne i bëjmë. Është dashuria për natyrën dhe për Tokën", thotë koreografi Julind Dervishi.
Në këtë shfaqje ku do të rrëfehen 24 karaktere do të luajë edhe vetë koreografi Dervishi.
Alisa Gjoni dhe Rovena Shqevi kanë punuar me balerinët, së bashku me bashkëshorten e koreografit, Livia Lara, duke koreografuar idetë e tij.
“Humus” do të perfomohet duke kaluar nga muzika konteporane, te ajo klasike, deri në muzikën e një feste të ndezur.
Performuesit kërcejnë në një tokë të kuqe, simbolikë e gjakut, ku gjithsecili tregon sakrificat, që njerëzit kanë bërë gjithë këto vite.
Ky balet do të ngjitet në skenë si produksion i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në datat 5 dhe 6 nëntor me synimin që t’ju lërë hapësirë krijuese artistëve të rinj.