HUNGARIA- Hungaria është vendi i parë në BE i cili aprovon përdorimin e vaksinës anti-COVID ruse, Sputnik V.
Sipas BBC, ditën e djeshme shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban konfirmoi se vaksinës ruse dhe AstraZenecës i ishte dhënë drita jeshile nga autoritetet shëndetësore vendase për përdorim.
Rezultatet e hershme të provës së vaksinës ruse kanë rezultuar premtuese.
Zyrtarët e shëndetësisë hungarezë, ndodhen në Pekin për bisedime me autoritetet kineze për miratimin dhe shpërndarjen e menjëhershme të 1 milionë dozave të vaksinës kineze për COVID-19 Sinopharm e cila tashmë po përdoret në Serbinë fqinje.
Kryeministri i Hungarisë ka thënë se e vetmja mënyrë për të vaksinuar qytetarët duke pasur parasysh shpërndarjen e ngadaltë dhe zhgënjyese të Pfizer është përmes blerjes së vaksinës ruse dhe kineze.
Hungaria ka filluar vaksinimin anti-COVID të qytetarëve një ditë para 27 dhjetorit, ditës së përcaktuar nga BE-ja.
Aktualisht numri total i infektimeve nga koronavirusi ka shkuar 355.662, ndërkohë që numri i viktimave është 11.713 në të gjithë vendi që nga fillimi i pandemisë.
Ditën e djeshme Rusia ka paraqitur në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA) një kërkesë për regjistrimin e vaksinës anti-COVID ruse Sputnik V.
Kujtojmë se vaksina tashmë është e aprovuar nga shumë vende të tjera të Amerikës Latine, Lindjes së Mesme dhe në Evropë nga Bjellorusia dhe Serbia.
Deri më tani EMA ka dhënë lejen për përdorimin në BE të vaksinave Pfizer dhe Moderna, ndërkohë që ka marrë një aplikim edhe për AstraZeneca.