Hungaria dhe Sllovakia kanë vendosur të mos e mbështesin planin e BE-së për paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, njoftoi të hënën ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Szijjarto theksoi se Hungaria dhe Sllovakia vendosën ta bllokojnë paketën e sanksioneve si përgjigje ndaj planeve të Bashkimit Evropian për ta ndërprerë dalëngadalë importin e energjisë nga Rusia.
“E bëmë këtë sepse Bashkimi Evropian ... dëshiron t’ua ndalojë shteteve anëtare, përfshirë Hungarinë dhe Sllovakinë, blerjen e gazit natyror dhe naftës së lirë nga Rusia, siç kanë bërë më parë”, u shpreh Szijjarto.
Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë të mbështeten në furnizimet me gaz dhe naftë ruse dhe kanë ruajtur marrëdhënie të ngrohta me Moskën.
Komisioni Evropian, më 10 qershor, propozoi një rund të ri sanksionesh kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës më shumë se tri vjet më parë, duke shënjestruar të ardhurat e Moskës nga energjia, bankat dhe industrinë ushtarake.
Kryeministri sllovak, Robert Fico, reagoi duke thënë se Sllovakia nuk do ta mbështesë paketën e sanksioneve nëse Komisioni Evropian nuk ofron një zgjidhje për situatën me të cilën përballet Sllovakia nëse BE-ja ndalon importet e energjisë ruse.
Nevojitet pajtimi njëzëri i të gjitha shteteve anëtare për të kaluar propozimi për sanksione.
Të dielën në mbrëmje, kryeministri hungarez, Viktor Orban, i bëri thirrje BE-së ta heqë nga rendi i ditës propozimin për ndalimin e importimit të energjisë ruse, për shkak të rritjes së pritshme të çmimeve të energjisë pas bombardimit të Iranit nga SHBA-ja./REL
Komente
