Hungaria, vendi i parë në BE që përdor vaksinën kineze anti-Covid/ Orban: Do të vaksinohem me Sinopharm, kinezët e njohin më mirë virusin

24 Shkurt 2021, 15:59| Përditesimi: 24 Shkurt 2021, 16:01

  • Share

Hungaria është i pari vend anëtar i Bashkimit Evropian që përdor vaksinën kineze të Sinofarm kundër Covid-19. Vaksinimi ka nisur këtë të mërkurë, dhe u konfirmua me anë të një mesazhi të shkurtër në Facebook nga kryeministri i vendit Viktor Orban.

"Sot ne po fillojmë vaksinimet me vaksinën kineze," tha Kryeministri hungarez.

Miratimi i ekspertëve hungarezë për përdorimin e vaksinës kineze u bë që në datë 29 janar dhe deri tani ata kanë marrë 5 milion doza nga Sinofarm, të mjaftueshme për të imunizuar 2.5 milion persona.

Vaksina kineze nuk është miratuar ende nga Agjencia Evropiane e Barnave, por BE i lejon një vendi anëtar të përdor një vaksinë tjetër sa kohë e merr vetë përgjegjësinë për të.

Zyrtarë hungarezë, përfshirë kryeministrin Viktor Orban, kanë qenë kritikë për programin e Bashkimit Evropian për vaksinimin e përbashkët, duke kritikuar ngadalësimin e shpërndarjes së dozave që sipas tyre po shkakton viktima.

Një muaj më parë Orban u shpreh se nëse vaksinat nuk do të vijnë nga Brukseli, atëherë do të merreshin diku tjetër.

"Nëse vaksinat nuk vijnë nga Brukseli, ne duhet t'i marrim ato nga diku tjetër ... Ne nuk mund të lejojmë që hungarezët të vdesin thjesht sepse Brukseli është shumë i ngadaltë në blerjen e vaksinave," tha Orban muajin e kaluar.

Hungaria gjithashtu është vendi i parë evropian që ka firmosur marrëveshje për furnizim me vaksinën ruse Sputnik V dhe Rusia do të dërgojë dy milion doza mjaftueshëm për vaksinimin e një milion hungarezëve.

Personeli shëndetësor ka nisur vaksinimin në fillim të muajit shkurt. Sipas Orban me anë të vaksinave ruse dhe kineze do të mund të imunizohen miliona hungarezë deri në fund të muajit maj.

Orban ka thënë se ai personalisht do të zgjidhte të vaksinohej me vaksinën Sinopharm pasi ai i beson më së shumti.

"Unë mendoj se kinezët e kanë njohur këtë virus më gjatë dhe ata e dinë më së miri", tha ai.

Vaksina e Sinopfarm, e cila sipas krijuesve të saj është 80% efikase, përdoret dhe në Serbi, ku janë vaksinuar rreth 500 mijë persona.

.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?