Foto ilustruese

Ekonomi

Hyjnë në fuqi rregulloret e reja, transfertat bankare më të lira dhe brenda ditës! Asnjë tarifë deri në 40 mijë lekë

17 Shtator, 07:26| Përditesimi: 17 Shtator, 07:30

  • Share

Në fillim të kësaj jave, kanë hyrë në fuqi rregulloret e reja të Bankës së Shqipërisë, që parashikojnë uljen e transfertave kombëtare në Lekë dhe në Euro.

Banka e Shqipërisë ka vendosur që për pagesat në nisje të nisura në formë elektronike, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 40 mijë lekë, bankat ose institucionet e tjera të pagesave nuk duhet të aplikojnë komisione. Me rregulloren e mëparshme, ky kufi ishte 20 mijë lekë. Dyfishimi i vlerës së transfertave që përjashtohen nga komisionet bankare e lehtëson më tej kryerjen e pagesave dhe transfertave në vlerë të vogël në ekonominë shqiptare.

Rregullorja parashikon edhe ulje të komisioneve për transfertat në vlera më të mëdha, e përshkallëzuar në disa shuma. Çmimi i komisioneve të aplikuara nga institucionet financiare për klientët e tyre, për të gjitha urdhërpagesat në nisje me vlerë nga 40 mijë lekë deri në 1 milion lekë, nuk duhet të jetë më i lartë se 100 lekë. Me rregulloren e mëparshme, transfertat deri në vlerën e 1.5 milionë lekëve kishin një komision tavan deri në 500 lekë për transfertat e kryera në degë dhe 250 lekë për transfertat e kryera me internet banking.

Rregullorja e re parashikon që çmimi i komisioneve të aplikuara për transfertat në nisje me vlerë më shumë se 1 milion lekë deri në 5 milionë lekë, nuk duhet të jetë më i lartë se 500 lekë. Me rregulloren e mëparshme, transfertat me vlerë më të lartë se 1.5 milionë lekë mund të paguanin një komision tavan deri në 1500 lekë (750 lekë nëpërmjet e-banking).

Për transfertat më të mëdha se 5 milionë lekë deri në vlerën e 10 milionë lekë, rregullorja përcakton një komision maksimal tavan prej 1 mijë lekësh.

Ndërsa çmimi i komisioneve të aplikuara për pagesat më të mëdha se 10 milionë lekë deri në nivelin e 15 milionë lekëve nuk duhet të jetë më i lartë se 1400 lekë.

Rregullorja e re ruan gjithashtu detyrimin për të aplikuar një nivel 50% të komisioneve për transfertat e kryera me internet banking.

Për pagesat në nisje që janë të nisura në formë elektronike (e-banking), me vlerë më të madhe se 40 mijë lekë, komisionet nuk duhet të jenë më të mëdha se 50% e komisioneve të aplikuara për pagesat e iniciuara në formë joelektronike.

Për shembull, të gjitha transfertat e kryera me e-banking deri në vlerën e 1 milion lekëve nuk mund të ngarkohen nga bankat dhe institucionet financiare me një komision më të lartë se 50 lekë.

Në mënyrë të ngjashme, Banka e Shqipërisë ka vendosur edhe uljen e komisioneve për transfertat kombëtare në Euro. Totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar. Me rregulloren e mëparshme, komisioni maksimal ishte 10 herë më i lartë, në masën 0.2%.

Ashtu siç ndodh me transfertat në Lekë, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.

Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro (për transfertat në letër komisioni minimal mund të jetë 6 euro). Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0.01% e vlerës së transferuar.

Ndërkohë, komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë, pavarësisht shumës së transfertës, propozohen të jenë të njëjta si në rregulloren aktuale, përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.

Përveç uljes së komisioneve, kuadri i ri rregullator u vendos bankave edhe detyrimin që transfertat kombëtare të finalizohen brenda ditës së punës. Me rregulloren e mëparshme, kryerja e transfertave kombëtare mes bankave të ndryshme kishte afat një ditë pune./Monitor

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?