Kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të doganore të Donald Trump ndaj më shumë se 90 vendeve anembanë botës.
“ËSHTË MESNATË!!! MILIARDA DOLLARË NGA TARIFAT PO RRJEDHIN TANI NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS!”, shkroi Trump në rrjetet sociale pak minuta para përfundimit të afatit në Uashington, DC.
Më herët, presidenti i kishte vendosur Indisë një tarifë prej 50%, e cila do të hyjë në fuqi më 27 gusht, nëse kjo e fundit nuk ndalon blerjet e naftës nga Rusia.
Trump gjithashtu ka kërcënuar me një tarifë 100% për çipat kompjuterikë të prodhuar jashtë SHBA-së, ndërsa po ushtron presion ndaj kompanive teknologjike që të investojnë më shumë brenda vendit. Kjo ndodhi në një kohë kur Apple njoftoi një investim të ri prej 100 miliardë dollarësh në SHBA, pas kërkesave të përsëritura të Shtëpisë së Bardhë për të zhvendosur më shumë prodhim në Amerikë.
Javën e kaluar, administrata Trump publikoi një listë të rishikuar të taksave doganore për dhjetëra partnerë tregtarë dhe shtyu një afat për vendet që duan të arrijnë marrëveshje me SHBA-në deri më 7 gusht.
Shtetet janë vënë në garë për të arritur marrëveshje me Uashingtonin për të ulur – ose hequr plotësisht – ato që Trump i quan “tarifa reciproke”.
Politikat tregtare të tij synojnë të riformatojnë sistemin global të tregtisë, të cilin ai e sheh si të padrejtë ndaj SHBA-së.
Ekonomitë e varura nga eksportet në Azinë Juglindore ishin ndër më të goditurat nga tarifat e reja.
Laosi dhe Mianmari, vende me ekonomi të përqendruar në prodhim, u përballën me tarifa ndër më të lartat – deri në 40%. Disa ekspertë besojnë se Trump ka në shënjestër vendet me lidhje të ngushta tregtare me Kinën.
Megjithatë, seti më i fundit i tarifave, sipas ekonomistit Bert Hofman nga Universiteti Kombëtar i Singaporit, do t’u japë vendeve një farë stabiliteti pas muajsh kaosi:
“Kjo supozohet të jetë pika përfundimtare. Tani mund të fillosh të analizosh ndikimin e tarifave.”
Disa prej ekonomive kryesore – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë dhe Korenë e Jugut – kanë arritur tashmë marrëveshje për tarifa më të ulëta sesa ato që Trump kërcënoi në prill.
Bashkimi Evropian ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje kornizë me Uashingtonin, në të cilën Brukseli ka pranuar një tarifë prej 15% për mallrat nga blloku tregtar.
Tajvani, një aleat kyç i Uashingtonit në Azi, u përball me një tarifë prej 20%. Presidenti i tij, Lai Ching-te, tha se kjo tarifë është “e përkohshme” dhe se bisedimet me SHBA-në janë ende në vazhdim.
Javën e kaluar, Trump e rriti tarifën për Kanadanë nga 25% në 35%, duke e akuzuar vendin fqinj se ka “dështuar të bashkëpunojë” në ndalimin e trafikut të fentanilit dhe drogave të tjera drejt SHBA-së. Qeveria kanadeze ka deklaruar se është duke ndërmarrë masa ndaj bandave të drogës.
Megjithatë, shumica e eksporteve kanadeze drejt SHBA-së do të shmangin këtë tarifë përmes traktatit ekzistues të tregtisë së lirë, Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA).
Tarifat më të larta ndaj Meksikës janë pezulluar për edhe 90 ditë të tjera, ndërsa vazhdojnë negociatat për një marrëveshje tregtare. Të mërkurën, Trump njoftoi se do të vendosë një tarifë 100% për çipat gjysmëpërçues të prodhuar jashtë SHBA-së.
Prodhuesit kryesorë të çipave që kanë bërë investime të rëndësishme në SHBA duket se i kanë shpëtuar kësaj tarife të re. Zyrtarët qeveritarë në Tajvan dhe Korenë e Jugut kanë deklaruar në mënyrë të ndarë se kompanitë TSMC, SK Hynix dhe Samsung do të përjashtohen nga kjo taksë.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së BBC-së për koment.
BBC ka kontaktuar gjithashtu SK Hynix dhe Samsung. TSMC ka refuzuar të komentojë.
Gjithashtu të mërkurën, Trump e rriti në total tarifën ndaj Indisë në 50%, ndërsa i kërkon importuesit të tretë më të madh në botë të energjisë që të ndalë blerjen e naftës nga Rusia.
Nju Delhi e ka cilësuar këtë veprim si “të padrejtë, të pajustifikuar dhe të paarsyeshëm” dhe ka premtuar se do të mbrojë interesat e saj kombëtare.
Ky veprim shënon një “ndryshim të fortë” në qasjen e Trump-it ndaj Moskës dhe mund të ngrejë shqetësime tek vendet e tjera që janë në bisedime me SHBA-në, tha analisti i tregut Farhan Badami nga firma financiare eToro.
“Ekziston mundësia që India të jetë vetëm objektivi i parë që Trump synon të ndëshkojë për mbajtjen e marrëdhënieve tregtare me Rusinë.”
Edhe eksportet e Brazilit drejt SHBA-së do të përballen me një tarifë prej 50%. Trump e vendosi këtë taksë pasi akuzoi presidentin Luiz Inacio Lula da Silva se ka sulmuar padrejtësisht firmat amerikane të teknologjisë dhe e quajti ndjekjen penale ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro për përpjekje për grusht shteti si një “gjueti shtrigash”.
SHBA dhe Kina kanë zhvilluar një sërë bisedimesh në përpjekje për të rënë dakord mbi një zgjatje të pezullimit 90-ditor të tarifave, që skadon më 12 gusht.
Komente
