TIRANE-Sot hyn në fuqi Kodi i ri Zgjedhor, që u ndryshua me konsensus në 5 qershor mes PS, PD dhe LSI-së dhe që u miratua në Kuvend në fund të muajit korrik. Pas dekretimit nga Presidenti dhe botimit në Fletoren Zyrtare, ndryshimet janë futur sot në fuqi. KQZ-ja e re dhe identifikimi biometrik janë dy risitë e paktit që përplasi për disa muaj politikën shqiptare dhe që në fund marrëveshja u arrit me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.
Me futjen në fuqi të ndryshimeve do të nisë puna për zgjedhjen e trupës së re të KQZ-së. Komisioneri, Nënkomisioneri, Anëtarët e Rregullatorit dhe të KAS-it sipas ligjit të ri të Kodit Zgjedhor duhet të zgjidhen jo më vonë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve do të nisin brenda muajit gusht, dhe së shpejti pritet që Kuvendi të hapë thirrjen për të gjithë kandidatët të cilët do të jenë pjesë e institucionit të administrimit zgjedhor. Duke filluar që nga dita e sotme, Kuvendit ka 60 ditë afat për të zgjedhur anëtarët e secilit organ të KQZ-së së re, kështu që deri në 19 tetor, KQZ do ketë hallkë dhe anëtar të rinj, të zgjedhur në bashkëpunim me Partinë Demokratike.
Partia Demokratike për herë të parë që pas djegies së mandateve do të futet në institucione, pasi për përzgjedhjen e kandidatëve të KQZ-së së re do të ketë një përfaqësues të saj në Kuvendin e Shqipërisë.
Anëtari i KQZ, Bledar Skënderi, në një reagim në rrjetet sociale shprehet i bindur se puna e KQZ aktuale ka qenë një punë e mirë për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë. Ashtu si pranon dhe vetë Skënderi, u është dashur të menaxhojnë situata deri në absurditet.
“Gjithsesi jam absolutisht i bindur që kemi bërë më të mirën për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë! Jam krenar se punova si pjesë e një trupe nga më profesionistet që ka patur ndonjëherë KQZ. Një falenderim të veçantë kam për të gjithë stafin e institucionit! I uroj Komisionerit, Ndihmës Komisonerit,dhe dy trupave të reja që do të zgjidhen punë të mbarë”, shprehet Skënderi.
Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se “sipas dispozitave të reja mandati i antarëve aktualë ndërpritet,por qëndrojmë në detyrë deri ditën e zgjedhjes së Komisionerit”.
E përveç riformatimit të KQZ, marrëveshja e 5 qershorit prodhoi dhe disa ndryshime të tjera, që lidhen me përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, për identifikimin biometrik të zgjedhësve, ndonëse për realizimin e këtij procesi nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret, në kushtet kur na ndajnë më pak se nje vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Gjithashtu, marrëveshja e 5 qershorit mundëson dhe hetimin e Krimeve Zgjedhore nga SPAK, rrit rolin e policisë në zgjedhje, dyfishon financimin nga shteti për partitë politike dhe kufizon financimin nga privati etj. Një tjetër pikë e rëndësishme është dhe ndryshimi i periudhës zgjedhore që do të mundësojë që zgjedhjet parlamentare të realizohen më shpejt, në periudhën nga 15 prill deri në 15 maj.
Ndërkohë, puna e Këshillit Politik nuk ka përfunduar. Palët pritet të rinisin punën sërish në Këshillin Politik për ndryshime të tjera në kodin zgjedhor dhe për cështje të tjera të rëndësishme sic është depolitizimi i administratës zgjedhore që prodhoi debate të shumta mes palëve ndonëse nuk u realizua për zgjedhjes e ardhshme as me ndërhyrjen e fortë të ndërkombëtare.