Shqipëria rinis prodhimin e armëve! Hyn në fuqi ligji për rivitalizimin e industrisë ushtarake! Vengu inspekton uzinën e Mjekësit! Brenda 3 -4 muajve nisim licencimet

22 Gusht, 16:51| Përditesimi: 23 Gusht, 21:45

  • Share

Tirane- Nga sot (22 gusht 2024) hyn në fuqi ligji për industrinë ushtarake, që i hap rrugë modernizimit dhe rivitalizimit të kapaciteteve të trashëguara të kësaj industrie në Shqipëri.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shoqëruar edhe nga zv.ministri i Mbrojtjes, Dorian Tola vizituan uzinën e Mjekësit në Elbasan, për të çelur një kapitull të ri të kësaj industrie.

"Sot hyn në fuqi paketa ligjore ku ushtrohet aktiviteti, qoftë në Elbasan, Gramsh e Poliçan' tha ministri. 

Ministri Vengu inspektoi disa nga mjediset e prodhimit dhe u njoh me punën që bëhet aktualisht në këto uzina. Ai u takua me drejtues dhe punonjës të ndërmarrjes që ka nevojë emergjente për investime e që ligji i ri i siguron për ta transformuar sërish në institucion të rëndësishëm të mekanizmit ushtarak të vendit.

“Jemi në uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit në Elbasan, një uzinë me rëndësi të veçantë për industrinë ushtarake.  Sot hyn në fuqi paketa ligjore për reabilitimin dhe rivitalizimin e industrisë ushtarake në vendin tonë. Paketa ligjore ka 3 komponentë. I jep mundësinë shtetit të rigrupojë të gjithë asetet e uzinat e vjetra të Mjekësit, Poliçanit e Gramshit në një kompani shtetërore që do të ketë përgjegjësi të funksionojë me vetëfinancim e të përthitë investime të huaja shumë të rëndësishme në këtë sektor.    

Paketa ligjore adreson dhe një problematikë shumë të vjetër dhe e mbetur e pa adresuar ndër vite që është, shlyerja e detyrimeve të papaguara ndaj ish punonjësve, punonjësive aktualë, dhe të gjithë njerëzve që kanë kontribuar ndër vite në këto uzina dhe industri shumë të rëndësishme. Sot është momenti i një pikënisjeje të re për këtë industri.

Jemi sot bashkë me kryetarin e bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja sepse e gjithë kjo industri ka një impakt ekonomik të rëndësishëm, dhe ne synojmë që të ketë një impakt jo vetëm në punësim por në të gjithë komponentët e rijetëzimit të zonës, një hapësirë shumë e madhe e cila ka nevojë për një rehabilitim mjedisor, dhe kjo është puna e parë që do të bëjë kompania”, tha ministri Vengu.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë  Gledian Llatja pohoi se “ne e shohim shumë positive perspektivën ekonomike për punësimin pasi kjo është një zonë që zhvillon ekonominë e saj. Unë jam i bindur se edhe me standartet e reja që do të investohen do të jetë në fokus edhe punësimi, mjedisi, zhvillimi ekonomik, si edhe industria ushtarake”.

Hapi tjetë është regjistrimi dhe krijimi i shoqërisë tregtare për prodhimin e municioneve e armatimit ushtarak, KAJO, konstituimi fillimi i punës së saj.

Tre ndërmarrjet, Mjekësi, Gramshi dhe Policani do i kalojnë KAJO-s, ndërsa detyrimet do mbulohen nga buxheti i shtetit, pretendojmë që brenda një afati kohor 3 – 4 muaj të mund të nisim licencimet e të shikojmë interesin për të bashkëpuar me kompanitë e interesuara,tha zëvendës ministri Dorian Tola.

Kjo do të hapë vende të reja pune për inxhinierë kimikë, inxhinierë mekanikë e ekspertë në fushën e municioneve dhe prodhimeve ushtarake.

"Specialistët nuk janë të mjaftueshëm. Duhet të nisë ripërgatitja e personelit që do e mirëmbajë këtë uzinë, do ta vërë në punë. Kryesisht specialistë kimistë, dhe specialistë të armatimit dhe lëndëve plasëse" tha inxhinier Stavri, i cili është kryeinxhinier i Mjekësit

Ringritja e industrisë ushtarake do të kërkojë një qasje të integruar dhe të koordinuar që adreson jo vetëm aspektet teknologjike dhe operative, por edhe ato ligjore, financiare, ekonomike, sociale dhe ambientale.

Ky proces ka për qëllim të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik në fushën e industrisë së mbrojtjes, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin privat, ndërsa Shqipëria pritet të forcojë përmes pozicionin e saj strategjik në rajon, duke u bërë një aktor më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në qasje të plotë me objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?