Këtë të mërkurë kanë hyrë në fuqi masat e reja të dhunës në familje. Bashkëshortët që dhunojnë partnerin apo pjesëtarë të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa nga policia e shtetit pa pritur vendimin e gjykatës. Por këto ndryshime shihen si problematike nga avokati Jordan Daci, i cili thotë se largimi nga shtëpia duhet të ketë afat, pasi pronari që mund të jetë i dëbuar nuk mund të humbas pronën.
"Në pamje të parë ky ligj, sigurisht edhe në qëllim, është pozitiv dhe padyshim që sjell një shmangie të konflikteve momentale. Gjithsesi, ky ligj ka probleme për mua sepse nga njëra anë zgjidhim problemin e agravimit të situatës por nga ana tjetër krijojmë situata të tjera serioze, ndoshta edhe më të rënda për shoqërinë", tha ai.
Avokati gjithashtu thotë se dëbimi nga banesa e dhunuesit, mund të jetë një shtysë për t’u rikthyer e për të bërë krime më të rënda.
"Një burrë i cili largohet sepse mund të jetë edhe përdorues i alkoolit. Atëherë çfarë do të bëj, ose do të bëj një krim tjetër, mund të vjedh, grabis apo mund të thyej një shtëpi. Pra, nuk e zgjidhim dot problemin që shoqëria ka si shoqëri duke bërë zgjidhje të pjesshme. Paralelisht me ligjin të krijoheshin mekanizma social, të cilat veprojnë në kohë reale, jo pas disa ditësh", shtoi ai.
Sipas projektligjit që hyri sot në fuqi, policia dëbon menjëherë nga banesa personin dhunues pa pritur vendimin e gjykatës. Më pas qeveria do të bashkëpunojë me bashkitë për të siguruar strehë për bashkëshortët dhunues, por avokati Daci e sheh me dyshon ofrimin e strehëzës nga qeveria dhe pushteti vendor.