Taksistët që përdorin taksimetër, janë kategoria e re që përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar fatura të fiskalizuara. Në fletoren zyrtare është botuar udhëzimi i ri i nxjerrë nga Ministria e Financave ku thuhet se krahas kategorive të tjera të përjashtuara, edhe taksistët nuk janë të detyruar për të zbatuar këtë detyrim.
“Tatimpaguesit që ofrojnë shërbimin taksi të pajisur me taksimetër dhe ata që shesin bileta ose abone për transport pasagjerësh në sektorin e transportit publik urban brenda qytetit (autobusë) në përputhje me vendimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, nëse fatura e taksimetrit, bileta ose aboneja u jepet pasagjerëve direkt nga drejtuesi i mjetit ose nga një person i autorizuar”, thuhet në udhëzimin e ri.
Bazuar në udhëzimin Nr. 16, datë 3.4. 2020 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, të përjashtuar nga detyrimi për të lëshuar faturën e fiskalizuar ishin prodhuesit bujqësorë, tatimpaguesit që shesin bileta ose abone për transport pasagjerësh në sektorin e transportit publik urban brenda qytetit si dhe shitësit ambulantë.
Fiskalizimi është zbatuar në tre faza, dhe ka të zbatohet prej 1 janarit të vitit 2021, nga bizneset e mëdha që lëshonin fatura për entet publike, më pas në 1 korrik të gjitha faturat që lëshoheshin mes bizneseve duhet të ishin të fiskalizuara, dhe faza e tretë ishte në 1 shtator ku faturat që lëshoheshin për qytetarët duhet të fiskalizioheshin, pra në fazën e tretë reforma e fiskalizimit duhej të zbatohej nga bizneset e vogla.