Mjeket ne QSUT

Hyn në fuqi udhëzimi për dypunësimin e mjekëve, mjeku mbetet në dorën e titullarit publik pas kërkesës që dërgon

20 Shtator, 12:12| Përditesimi: 20 Shtator, 12:27

  • Share

TIRANË-Pas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë ka hyrë në fuqi udhëzimi për dypunësimin e mjekëve. Udhëzimi është publikuar në Fletoren Zyrtare. Mjekët që janë të punësuar në spitalet publike, kur do të duan të punojnë dhe në klinikë private sipas rregullit të ri do të dërgojnë një kërkesë pranë titullarit public.

Sipas udhëzimit “Mbi procedurat e verifikimit dhe shqyrtimin e kërkesës së mjekëve të institucioneve publike për të ushtruar profesionin në institucione jopublike, publikimin e të dhënave në regjistrin elektronik, formatin dhe mënyrën e përditësimit të regjistrit” do të bëhet vetëm pas miratimit të kërkesës nga drejtuesit e institucionit shëndetësor pranë të cilit janë të punësuar.

Sipas udhëzimi vendimi do të merret brenda 10 ditëve nga titullari publik i cili do të vlërësojë kriteret.

Për rastet e rrëzimit të kërkesës mjeku ka afat brenda 30 ditëve të ankohet.

Udhëzimi vjen si vendim pas skandalit të Onkologjikut, ku mjekët u kapën në flagrancë në shkelje me detyrimin ndaj pacientëve. Kryeministri Rama vendosi të kishte një udhëzim që mjekët nuk do të lejohen që të punojnë njëkohësisht në spitalin publik dhe atë privat. Rama tha se kjo praktikë do të marrë fund.

Udhëzimi i plotë

Mjekët e punësuar në institucionet shëndetësore publike, të cilët dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e tyre edhe në institucione shëndetësore jopublike, duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim pranë titullarit të institucionit shëndetësor publik ku ushtrojnë profesionin e tyre.

Në kuptim të këtij udhëzimi, titullari i institucionit shëndetësor publik konsiderohet funksionari më i lartë në atë institucion. Në rast se vetë titullari kërkon që të paraqesë kërkesë për të ushtruar profesionin në institucione shëndetësore jopublike, ajo i paraqitet për vlerësim dhe miratim sekretarit të përgjithshëm të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, i cili ndjek të njëjtën procedurë vlerësimi, të përshkruar në këtë udhëzim.

Mjeku që kërkon të ushtrojë profesionin e tij edhe pranë një institucioni shëndetësor jopublik, në kërkesën e paraqitur duhet të përfshijë informacionin e mëposhtëm: a) emrin dhe mbiemrin; b) specialitetin (nëse ka); c) nëse është ose jo anëtar i personelit akademik në një institucion të arsimit të lartë (IAL) publik ose jopublik, duke dhënë edhe ngarkesën përkatëse, nëse ushton këtë funksion; ç) institucionin shëndetësor jopublik ku dëshiron të ushtrojë profesionin; d) statusin e tij në institucionin shëndetësor jopublik (nëse është ortak/aksionar, administrator, i punësuar apo tregtar); e) specialitetin që kërkon të ushtrojë; f) kohëzgjatjen e kësaj marrëdhënieje (me afat ose pa afat); g) koha dhe orari gjatë së cilës mjeku ushtron profesionin në institucionin shëndetësor jopublik.

Nëse kërkesa nuk përmban të gjitha elementet e nevojshme, titullari i institucionit i jep mjekut një afat 5-ditor për plotësimin e të metave. Nëse të metat nuk plotësohen brenda këtij afati, titullari vendos mosshqyrtimin e kërkesës.

Titullari i institucionit shëndetësor publik, gjatë vlerësimit për miratimin ose jo të kërkesës së mjekut, merr në konsideratë: a) ngarkesën e orëve që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik; b) ngarkesën mendore dhe fizike që kërkohet për llojin e specialitetit që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik dhe atë që kërkon të ushtrojë në institucionin shëndetësor jopublik. Për vlerësimin e këtij aspekti, titullari i referohet të dhënave shkencore të publikuara, që kanë të bëjnë me specialitete të ndryshme mjekësore, vendase dhe të huaja; c) korrektësinë e mjekut në respektimin e orarit të punës, para paraqitjes së kërkesës; d) mbulimin e shërbimit nga personeli tjetër mjekësor në institucionin shëndetësor publik; e) krahasimin e orëve mujore të punës që ushtron në institucionin shëndetësor publik, me orët e punës që propozon të ushtrojë në institucionin shëndetësor jopublik; f) mundësinë e konfliktit të interesit; g) nëse ka apo jo një pozicion drejtues në një institucion shëndetësor publik apo në Universitetin Mjekësor.

Bazuar në kriteret e sipërpërmendura, titullari i institucionit shëndetësor publik, brenda 10 ditëve, duhet të vendosë, në mënyrë të arsyetuar: a) mosmiratimin e kërkesës; b) miratimin e kërkesës.

Në rast miratimi të kërkesës, titullari i institucionit njofton ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, duke i bashkëlidhur kërkesën e mjekut, vendimin e arsyetuar, si dhe të dhënat e tjera të nevojshme për publikim në regjistrin përkatës.

Titullari i institucionit shëndetësor publik vendos mosmiratimin e kërkesës së mjekut, nëse nuk plotësohen kriteret e përmendura në këtë udhëzim.

Kundër vendimit për mosshqyrtimin e kërkesës, sipas pikës 4, ose mosmiratimin e kërkesës, sipas pikës 6 të këtij udhëzimi, mjeku ka të drejtë të ankohet brenda 30 ditëve pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, duke respektuar kërkesat e neneve 130–135 të Kodit të Procedurave Administrative.

Nëse titullari i institucionit shëndetësor publik nuk shprehet brenda 10 ditëve pune nga paraqitja e kërkesës, mjeku ka të drejtë të ankohet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, brenda 7 ditëve nga përfundimi i këtij afati.

Ministri përgjegjës për shëndetësinë, në përputhje me nenin 43 të Kodit të Procedurave Administrative, cakton një njësi përgjegjëse për vlerësimin e ankimit të paraqitur.

Njësia përgjegjëse shqyrton ankimin, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative, brenda një afati 10-ditor, dhe vendos për detyrimin e titullarit të shprehet, nëse është vendosur mosshqyrtimi i kërkesës.

Në raste të tjera, njësia përgjegjëse, mbasi shqyrton ankimin, brenda afatit 30-ditor, i propozon ministrit përgjegjës për shëndetësinë: a) miratimin e vendimit të titullarit të institucionit shëndetësor publik; b) ndryshimin e vendimit të titullarit të institucionit shëndetësor publik dhe miratimin e kërkesës.

Ankimi i paraqitur sipas pikës 10 të këtij udhëzimi shqyrtohet nga njësia përgjegjëse, brenda 10 ditëve, e cila vendos t’i kërkojë titullarit të institucionit publik që të mbajë qëndrim brenda 5 ditëve. II.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?