Nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi vendimi i Byrosë Shqiptare të Sigurimit për reduktimin e tarifës së “Kartonit Jeshil” në vlerën 50 euro me afat 1-vjeçar, i vlefshëm për autoveturat me targa shqiptare, me të drejtën e udhëtimit vetëm në territorin e Malit të Zi.
Reduktimi i tarifës së “Kartonit Jeshil” ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e shumë banorëve që kanë lëvizje të shpeshta drejt vendit fqinj, kryesisht për arsye biznesi apo edhe punësimi.
Ndërkohë, tarifimi i automjeteve me targa shqiptare, me të drejtën e udhëtimit vetëm në territorin e Malit të Zi për një periudhë 15-ditore, mbetet i njëjtë, në çmimin prej 15 eurosh, siç ka qenë prej vitesh. Ky siguracion mund të blihet në pikat e kalimit kufitar, si në anën shqiptare ashtu edhe në atë malazeze.
Ndërkohë, Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) ka përshëndetur këtë vendim, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm për lehtësimin e lëvizjes me një prim të reduktuar prej vetëm 50 euro në vit, në vend të 400 eurove që aplikoheshin më parë.
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, megjithatë, i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të siguruar zbatimin e të njëjtës masë edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.
Sipas kësaj force politike, një vendim i tillë do të lehtësonte barrën financiare për banorët e Korçës dhe zonave të tjera kufitare, të cilët lëvizin shpesh për arsye familjare, ekonomike dhe kulturore drejt dy vendeve fqinje. Për më tepër, AMIE ka theksuar se qytetarët shqiptarë paguajnë aktualisht një nga tarifat më të larta të siguracionit në Europë, ndërsa në rajon kostot janë ndjeshëm më të ulëta.
Gjithashtu, në deklaratën e saj, kjo parti ka ngritur shqetësimin se qeveria duhet të marrë masa për të ulur koston e naftës në vend, duke argumentuar se një numër i madh shqiptarësh shkojnë për pazar në Maqedoni dhe Greqi për shkak të çmimeve më të favorshme.
Po ashtu, është ngritur edhe çështja e përdorimit të makinave me targa të huaja, që sipas AMIE, ndodh për shkak të taksave më të ulëta në vendet fqinje. Sipas saj, ulja e tarifave të sigurimit dhe taksave vendase do të stimulonte më shumë qytetarë të regjistronin makinat e tyre në Shqipëri, duke sjellë përfitime për ekonominë kombëtare.
“Kartoni Jeshi” është një detyrim ligjor për drejtuesit e mjeteve, i cili mbulon dëmet që mund të shkaktohen në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.
Deklarata e Partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) përshëndet vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit, i cili hyri në fuqi më 1 shkurt 2025, dhe që mundëson qytetarëve shqiptarë të lëvizin drejt Malit të Zi me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me një prim të reduktuar prej vetëm 50 euro në vit, në vend të 400 eurove që aplikoheshin më parë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të lëvizjes dhe uljes së kostove për qytetarët tanë.
Me këtë vendim, i cili mbulon ekskluzivisht territorin e Malit të Zi, qytetarët shqiptarë mund të pajisen me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me vlefshmëri 12-mujore nga data e lëshimit.
Në këtë kontekst, Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) kërkon nga Qeveria dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të ndërmarrin një proces të menjëhershëm konsultimi dhe koordinimi me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), në mënyrë që e njëjta masë për uljen e çmimit të primit të sigurimit për “Karton Jeshil” në 50 euro në vit të zbatohet edhe për Maqedoninë dhe Greqinë.
Ky vendim do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë, veçanërisht për banorët e Qarkut të Korçës, të cilët kanë lidhje të ngushta me Maqedoninë dhe Greqinë për arsye familjare, ekonomike dhe kulturore. Ulja e kësaj tarife do të krijojë mundësi më të mëdha për lëvizjen e lirë, do të lehtësojë jetën e përditshme të mijëra qytetarëve dhe do të ndihmojë në thellimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë.
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) do të ndjekë nga afër këtë proces dhe do të vazhdojë të mbështesë çdo iniciativë që synon përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë. U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të veprojnë me shpejtësi për të garantuar një trajtim të barabartë për qytetarët tanë që udhëtojnë drejt Maqedonisë dhe Greqisë, duke reduktuar një barrë të madhe ekonomike mbi qytetarët dhe bizneset që operojnë në rajon.
—Ne kemi siguracionin, kartonin jeshil më të shtrenjtë në Europë, as që bëhet fjalë të krahasohemi me vendet e rajonit por të paktën ndaj e morëm këtë iniciativë si një sensibilizim që siç u bë në Mal të Zi të paktën të ketë edhe me Maqedoninë dhe Greqinë që të jetë një barrë lehtësuese për qytetarët tanë por që patjetër që duhet parë edhe kjo pjesë që të unifikohet siguracioni si i brendshëm ashtu edhe i jashtëm dhe që të jetë një tarifë më e pranueshme për qytetarët tanë.
Nuk ka logjikë që ne të kemi dy siguracione plus siguracionin jeshil për jashtë më të shtrenjtë në botë.
—-Edhe tani mijëra qytetarë shqiptarë shkojnë për pazar qoftë në Greqi apo Maqedoni pasi çmimet në ushqime dhe karburanti janë më të ulëta dhe cilësore se në vendin tonë.
Edhe kjo pjesë duhet parë nga ana e qeverisë që të ulet kosto e naftës. Pse qytetarët të shkojnë në vendet fqinje kur atë shërbim e marrin këtu.
Plus ne kemi mijëra makina me targa të huaja sidomos në zonat kufitare të Shqipërisë. Qytetarë që mbajnë makina me targa të huaja sepse tarifat, taksat janë më të ulëta në ato vendt dhe ju leverdis më shumë që të marrin një makinë, të paguajnë taksa atje në atë vend, sesa në vendin tonë.
Kështu që po të shohim, vendi jonë do ketë përfitime me këto ulje të çmimit të tarifave sepse qytetarët do blejnë makina me targa shqiptare dhe do paguajnë këtu taksa dhe së dyti nuk ka nevojë të shkojnë në vende të tjera për të bërë pazar kur mund ta marrin në vendin tonë.