Në korrik të këtij viti rriten përsëri pagat e arsimtarëve dhe të bluzave të bardha. Në dokumentin e politikave Prioritare të qeverisë për periudhën 2025-2027 i cili ka hyrë në fuqi, thuhet se rrogat e punonjësve mësimorë parauniversitar do të rriten me 28.900 lekë, duke e çuar pagën mujore nga 75.900 lekë/muaj në 104.800 lekë/muaj.
Ndërsa në sektorin e shëndetësisë pagat e mjekëve specialistë kanë arritur deri në 174 mijë lekë/muaj, për këtë arsye në fokus të këtij viti do të jenë pagat e mjekëve të familjes dhe të infermierëve.
“Në vitin 2023, mjeku i përgjithshëm mori një rritje pagë në masën 7% ose në vlerë në masën 6.000 lekë/muaj dhe për vitin 2024 do të përfitojë një rritje në masën 20.000 lekë/muaj. Rritja kumulative e pagës mesatare të mjekut të përgjithshëm është 25% dhe shkon deri në 131.000 lekë/muaj”, thuhet në vendim.
Kurse infermierët e punonjësit e tjerë shëndetësor do të kenë pagë mesatare bruto prej korrikut në vlerën 87 mijë lekë në muaj, pasi do të përfitojnë një rritje në masën 15.000 lekë.
Reforma e plotë e pagave, që po vijon nga vitit 2023, e shtrirë përgjatë dy viteve arrin një kosto prej rreth 39 miliardë lekë dhe përfitojnë 130 mijë punonjës. Me rritjen e këtij viti, planifikohet që rroga mesatare në shtet të arrijë 900 euro.
Rritja e pagave sipas kategorive specifike, ku do të përfshihet edhe pushteti vendor do të përcaktohet me vendim të këshillit të ministrave në muajin e ardhshëm, dhe hyn në fuqi prej korrikut.