Bota

Hyn në fuqi armëpushimi në Gaza! Të dyja palët festojnë fitoren!

21 Maj 2021, 09:51| Përditesimi: 21 Maj 2021, 13:37

  • Share

Pas 11 ditësh përplasje të fuqishme, mëngjesin e sotëm në Rripin e Gazës ka më në fund qetësi.  Armëpushimi filloi herët të Premten, duke i dhënë fund 11 ditësh luftime, të cilat u morën jetën të paktën 240 personave,  shumica e tyre në Gaza.

E me hyrjen në fuqi të armëpushimit, si Izraeli dhe Hamasi kanë pretenduar fitoren në konflikt.

Një zyrtar i Hamasit i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se armëpushimi i shpallur nga Izraeli ishte një "fitore" për popullin Palestinez dhe një humbje për Kryeministrin Izraelit Benjamin Netanyahu.

Mendim i cili mbështetej edhe nga qytetarët në Gaza.

"Kjo është dita e fitores, dita e lirisë dhe është dita më e bukur që kemi përjetuar," tha njëri prej tyre.

Por Basem Naim, nga Këshilli i Hamasit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, deklaroi se ai ishte skeptik për zgjatjen e armëpushimit.

"Pa drejtësi për palestinezët, pa ndalur agresionin dhe mizoritë izraelite kundër popullit tonë në Jeruzalem, armëpushimi do të vazhdojë të jetë i brishtë," tha ai.

Menjëherë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në 02:00 të mëngjesit, një numër i madh palestinezësh dolën në rrugë me makina dhe në këmbë për të festuar. Në Gaza, shoferët u binin borive, ndërsa altoparlantët nga xhamitë theksonin "fitoren e rezistencës".

E njëjta gjë u pretendua edhe nga kampi izraelit, ku ministri izraelit i Mbrojtjes Benny Gantz tha se ofensiva e Gazës kishte dhënë "fitime të papara ushtarake".

 "Udhëheqësit politikë theksuan se realiteti në terren do të përcaktojë të ardhmen e fushatës," tha deklarata.

Luftimet mes palëve filluan në 10 maj pas disa javësh tensioni izraelito-palestinez në Jeruzalemin Lindor të okupuar që kulmuan në përleshjet në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë. Hamas filloi të qëllonte me raketa pasi paralajmëroi Izraelin të tërhiqej nga vendi, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse.

Të paktën 232 njerëz, përfshirë më shumë se 100 gra dhe fëmijë, u vranë në Gaza. Izraeli ka thënë të paktën 150 nga ata ishin militantë.

Hamas nuk ka dhënë shifra të viktimave për luftëtarët. Në Izrael 12 vetë humbën jetën, përfshirë dy fëmijë. Ushtria izraelite deklaron se më shumë se 4300 raketa u qëlluan në drejtim të territorit të saj nga militantët dhe se ajo goditi më shumë se 1.000 objektiva militantë në Gaza.

Ora 14:08
12 orë pas armëpushimit, sërish përplasje në Jeruzalem

Vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, ka pasur sërish përplasje mes protestuesve palestinezë dhe ushtrisë izraelite.

Protestuesit kanë hedhur gurë dhe ushtarët kanë qëlluar me plumba gome dhe gaz lotsjellës mes trazirave rreth vendit të shenjtë në Jeruzalem.

Policia izraelite sulmoi adhuruesit në xhaminë Al-Aqsa të Jeruzalemit me granata trullosesë pas lutjeve të së Premtes, raportojnë mediat vendase.

Qindra palestinezë kishin mbajtur një demonstratë festive në Al-Aqsa në të cilën ata tundnin flamuj palestinezë dhe parulla të Hamas.

Numri i të vdekurve nga sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 243, duke përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra, tha Ministria Palestineze e Shëndetësisë të Premten dhe më shumë se 1,900 njerëz janë plagosur.

Një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, hyri në fuqi në 2 të mëngjesit të së Premtes. Armëpushimi u ndërmjetësua nga Egjipti dhe erdhi pas 11 ditësh sulmesh ajrore të Izraelit në enklavën Palestineze. Ushtria izraelite ka organizuar sulme ajrore nëpër Rripin e Gazës që nga 10 maj, duke shkatërruar ndërtesa banimi, spitale dhe qendra arsimore.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?