Policia e Korçës ka zbuluar një skemë të mashtrimit të shtetasve grekë. Të veshur nën petkun e subjektit tregtar ata mashtronin shtetasit grekë i merrnin të dhënat e llogarive bankare dhe duke transferuar shuma parash nga llogaritë e tyre, në llogari të tjera të paidentifikuara, nëpërmjet agjentëve fiktivë.
Dy personat e arrestuar janë një nga Tirana dhe një nga Korça.
"Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 2, te bulevardi "Republika", në Korçë, në një subjekt tregtar në pronësi të shtetasit K. H., kanë gjetur të punësuar në mënyrë të jashtëligjshme 7 punonjës, të cilët ishin të padeklaruar në organet tatimore.
Gjithashtu, nga këqyrja e pajisjeve kompjuterike të vendosura në këtë ambient, janë gjetur lista emërore me kontakte telefonike dhe foto të dokumenteve të identifikimit të shtetasve grekë, fatura transaksionesh bankare, fatura fiktive në kriptomonedha "Bitcoin", adresa kriptovalutash etj. Nga verifikimet e kryera rezultoi se pajisjet kompjuterike përdoreshin nga këta shtetas, për të mashtruar shtetasit grekë, të cilëve iu merrnin të dhënat e tyre personale bankare, me të cilat ndërhynin në llogaritë e tyre, nëpërmjet agjentëve fiktivë, për të transferuar shuma parash në llogari të ndryshme të huaja, të paidentifikuara" informoi sot policia.
Të arrestuar në kuadër të operacionit "Kriptonite" janë Kanan Hani, 31 vjeç, banues në Tiranë, Kristjan Feçani 29 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike, që përdoreshin në këtë veprimtari të paligjshme.
Vijon puna intensive hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara prej saj.