Listat e hapura dhe draftet e propozuara nga dy palët politike janë kthyer në ngërç për procesin e reformës zgjedhore. Në tryesën e këshillit politik, opozita e bashkuar kërkon rekomandimet e ODIHR ndërkohë që për draftin e propozuar nga PS thonë se nuk i hapin 100 përqind listat.
Ndërkohë në një intervistë për Report Tv, deputeti Alket Hyseni u shpreh se modeli i listave është marrë nga vendet e huaja dhe se janë 100 përqind të hapura.
Gjithashtu ai foli dhe për vijimin e punës në Këshilli Politik për të cilën u shpreh se nuk do të presin shumë gjatë për opozitën e bashkuar që të propozojë një draft.
"Ne i hapëm pasi një pjesë e madhe e opinionit publik e kërkonte. Ishte një çështje që nuk e menduam në fillim. Tashmë listat janë 100 përqind të hapura. Në Kushtetutë ka një parashikim, jo më pak se 2/3 por me draftin e propozuar listat hapen 100 përqind. Nuk i duhet askujt që të marrë më shumë vota se partia. Ka lidhje proporcionalisht me numrin e mandateve që merr partia. Herësi do të dalë nga votat që merr partia, do të pjesëtohet me numrin e mandateve dhe do të dalë një numër votash. Dikush që do të kalojë listën duhet të marrë qoftë dhe një votë më shumë. Është totalisht e mundur, nëse është dikush që ka integritet, nëse partia ka marrë një numër votash dhe ka kandidatë 10, do të pjesëtohet me 10 dhe një nga këta persona që ka marrë më tepër se kaq vota do të jetë brenda listës. Nuk mund të shtiremi. Në të gjithë botën demokratike, janë partitë politike që paraqesin emrat. Zgjedhësi nëse kanë një dëshirë për të paraqitur një emër jashtë partive politike e kanë këtë haprësirë më vete. Partitë politike pasi bëjnë sondazhe të caktuara, mbi kandidatët kanë mekanizma për prodhimin e kandidatëve. Janë persona që janë filtruar nga baza, janë bërë verifikime. Kanë qëlluar që dikush nga kandidatët kanë pasur probleme" - tha Hyseni.
Gjithashtu Hyseni thotë se renditja në listat e PS-së do t'i bënte nder kujtdo dhe se ajo është si një ekip i madh.
"Unë do të pranoja çdo renditje që do bënte partia në kuptimin e gjerë. Renditja në PS do t'i bënte nder kujtdo, qoftë i pari dhe i fundit. Ne e konsiderojmë listën si një ekip, punojmë të gjithë së bashku. Aq më tepër që tashmë që i kanë të gjitha shanset si i pari dhe i fundit për të demonstruar që vlen më shumë se kolegët e tjerë. E rëndësishme për ne është që të ketë një proces demokratik në përzgjedhjen e kandidatëve. Janë njerëzit që vendosin në fund nëse do të preferojnë një prej kandidatëve" - thotë Hyseni.
Një pikë tjetër që ka "përplasur" palët politike në këshill ka qenë dhe kërkesa e opozitës së bashkuar për të marrë rekomandimet e ODIHR e cila është refuzuar nga PS.
VIDEO/ Intervista e plote
Hyseni i qëndron mendimit që ODIHR i duhet drejtuar me drafte konkrete dhe jo me hamendësime. Në studion e Report TV ai thotë se opozita gjithmonë kërkon që të bëjë sipas tyre dhe se është koha që t'i tregojnë kufijtë.
"Është shumë i vlefshëm mendimi i ODIHR dhe sot. Janë rekomandime të rëndësishme. Në mos tani, në mundësinë e parë ne do i adresojmë të gjitha çështjet tek ODIHR. Në demokraci diskutohet dhe palët rrahin mendimet. Ne na ka qëlluar një opozitë që nëse ne do gjithmonë do ta lëmë atëherë ato do të bëjnë sërish sipas tyre dhe ne duhet tu tregojmë kufijtë. Ka pasur gjithmonë dialog. Shumë reforma janë bërë bashkarisht. Reforma në drejtësi është votuar nga shqiptarët. Kanë ndikuar shumë faktorë por përfundimisht vendimmarrja ka qenë e shqiptarëve. Shteti amerikan janë shumë të rëndësishëm për ne dhe nëse janë sugjerime të vlefshme atëherë do të themi po, por nëse nuk na interesojnë atëherë themi jo" - tha Hyseni.
Hyseni tha se aktualisht në opozitën e bashkuar situata është tripolare ku përveç kryetarit Basha dhe ish kryetarit Berisha ka ndërhyrë dhe Presidenti Meta.
"Ata kanë një situatë tripolare dhe nuk ka një vendimmarrës. Kanë një kryetar, Lulzim Bashën, kanë liderin historik, Berishën si dhe Metën. Ne nuk po dalim me ide që i kemi shpikur ne. Janë formula që aplikohen nga vendet e tjera. Mendoj se do t'i pranojnë." - tha Hyseni.
Deputeti socialist gjithashtu u shpreh me kritika dhe për situatën brenda opozitës jashtëparlamentare ku thotë se është tripolare ku përveç kryetarit Basha dhe ish kryetarit Berisha ka ndërhyrë dhe Presidenti Meta.
"Opozita ka problemet e veta dhe është e papozicionuar. Ata kanë një situatë tripolare dhe nuk kanë një vendimmarrës. Është kryetari juridik, Basha, kanë liderin historik, Berishën si dhe kryetarin pretendues që është Presidenti. Ka një vështirësi ky proces por të jenë të bindur që ne nuk po i themi apo po dalim me ide që i kemi shpikur ne. Janë formula që aplikohen nga vendet e tjera demokratike. Nëse kanë një formulë që aplikohet në vendet demokratike hajde ta diskutojmë, prandaj mos i quani se sikur nuk do ta ndihmojnë. Mendoj se do t'i pranojnë." - tha Hyseni.