Edi Rama i akordoi "Yllin e Mirënjohjes Publike" kampionit të karatesë, Alvin Karaqi. Në fjalën e tij, Rama nuk i ka kursyer batutat, teksa ka thënë se nuk ishte aty për t'u bërë vjehrri i tij, pasi vajzën e ka të zënë. Kryeministri e vlerësoi ceremoninë, njësoj me vizitën e ndonjë zyrtari të lartë evropian.
"Unë kam pasur fat ta njoh në "Podcastin" tim. Dashuria e tij pasionante për atdheun dhe të jetuarit me flamurin kuqezi, si një lëkurë të dytë, kjo e shënon Alvinin. Ai është djali që çdo prind do donte të kishte dhe dhëndrri që çdo vjehrrë donte ta kishte. Nuk jam këtu për t'u bërë vjehrri i atij, se një vajzë që kemi, e kemi të zënë. Më pëlqen si Alvini flet për prindërit dhe e di sesi e ëma e vuan çdo përplasje në tapet, se mos ndodh diçka. Kampioni më tregoi se fle rreth katër orë, i mbyll sytë duke menduar sesi t'i hapë sa më shpejt për të bërë detyrat e tij, mjekun dhe sportistin kampion. Jam me fat që për shkak të detyrës, jam këtu që t'i shpreh Alvinit dhe familjes së tij gjithë mirënjohjen dhe respektin, si dhe gatishmërinë për të ndihmuar sportistët tanë. Ata janë sot në kushte krejt të reja, falë edhe bashkëpunimit me KOKSH.
Prania jote këtu është po aq e rëndësishme sa ajo e një kryeministri apo zyrtari që na vjen nga jashtë. Je shëmbëlltyra e flamurit tonë kombëtar. Të uroj të jesh i rrethuar nga dashuria dhe respekti i të gjithëve", tha Edi Rama.
Lajmi kryesor:
Kampioni shqiptar i karatesë, Alvin Karaqi merr mes lotësh 'Yllin e Mirënjohjes Publike'! Edi Rama: Jeton me flamurin kuqezi si një lëkurë të dytë
S.Dh//ReportTv.al