Pamje nga tensionet në veri

I Akullti dhe Frenki dënojnë Serbinë

9 Qershor 2023, 09:59| Përditesimi: 9 Qershor 2023, 10:02

  • Share

Udhëheqësit e shërbimit sekret të Serbisë, Stanishiç dhe Simatoviç, u dënuan përfundimisht për krimet në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Që të dytë lanë namin edhe në Kosovë.

1.

Si të ishte ndonjë skenar filmi apo ndonjë roman krimi, gjykimi i fundit në Hagë (i Gjykatës për ish- Jugosllavi) dha një verdikt që ishte pjesë e ligjërimit të përgjithshëm publik në ish-Jugosllavi dhe qarqet diplomatike e intelektuale të Perëndimit, por nuk mori ndonjëherë vulën juridike. Në vendimin e vet të fundit Kolegji i Apelit i Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale ka nxjerrë aktgjykim në rastin kundër ish-drejtuesve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror (SDB) të MPB-së së Republikës së Serbisë - Jovica Stanishiç dhe Franko Simatoviç. Përfaqësuesit më të lartë të SDB RS u dënuan si anëtarë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale përgjegjëse për krimet e kryera nga anëtarët e Gardës Vullnetare Serbe (SDG), Njësisë për Veprime Speciale, Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO) - Beretat e Kuqe, milicia e Martiçit dhe Skorpion në vitin 1992 në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci.

Kolegji i apelit konstatoi se Stanishiç dhe Simatovi

q, së bashku me udhëheqës të tjerë ushtarakë, politikë dhe policorë nga Serbia, të ashtuquajturit SAO Krajina, SAO Slavonia, Baranja dhe Sremi Perëndimor, si dhe Republika Serbe ishin pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale, qëllimi i së cilës ishte largimi i përhershëm i popullsisë joserbe nga territoret nën kontrollin e forcave serbe në BeH dhe Kroaci, e që përbën spastrimi etnik.

2.

Për gati një çerekshekulli është mbrojtur me sukses pozicioni i S.Milosheviçit se Serbia nuk është dhe nuk ka qenë në luftë (në ish-Jugosllavi), gjegjësisht vetëm ka ndihmuar popullin e vet serb . Prej verdiktit të Gjykatës së Hagës në fund të muajit maj tashmë ky pozicion nuk mund të mbrohet më. Serbia është pjesëmarrëse me institucionet e veta shtetërore në luftë në BeH dhe Kroaci. Rrjedhimisht, bart përgjegjësi për agresion ndaj dy shteteve të pavarura fqinje.

Për më tepër, kjo pjesëmarrje u quajt pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, në të cilën viktimat më të mëdha janë civilët. Dhe rrjedhimisht, Serbia potencialisht ballafaqohet me dy pasoja imediate, afatmesme e afatgjate. E para është se tashmë edhe juridikisht është sanksionuar se politika e Serbisë në BeH dhe Kroaci ka qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që ka pasur qëllim spastrimin etnik. E dyta është se viktimat dhe familjarët e viktimave të kësaj ndërmarrjeje të përbashkët kriminale kanë të drejtë të iniciojnë proces juridik kundër Republikës së Serbisë. Kjo vlen për çdo të dhunuar, çdo të plagosur, çdo të vrarë – çdonjërit që i është thënë që brenda dy orësh duhet ta braktisë shtëpinë e vet.

3.

Dhe, do të duhej të kishte pasoja politike.

E para mbase do të ishte që nga krerët e shtetit të Serbisë të thuhet se luftërat e ish-Jugosllavisë - në të cilat tashmë është konstatuar edhe juridikisht pjesëmarrje e Serbisë si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale - ishin një gabim dhe se pasojat për këtë, ani pse ishte në pushtet Milosheviçi, i bart Republika e Serbisë.

E dyta do të ishte distancim jo vetëm prej akteve të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, por edhe të ideologjisë e cila qe shtytëse për të. E ajo ideologji që nga Milosheviçi qe quajtur të gjithë serbët në një shtet (ani pse e prishi Jugosllavinë, shtetin në të cilin të gjithë serbët qenë bashkuar në një shtet) vazhdon të jetojë edhe sot. Ajo jeton me idenë se BeH është një kornizë provizore, e cila do të shembet dhe do të krijojë mundësinë që të bashkohen Serbia dhe Republika Serbe. Ajo jeton me idenë se Kosova është Serbi, e së bashku me Kosovën edhe Mali i Zi.

Politika zyrtare e Serbisë në thelb nuk ka dalë prej lëvozhgës të politikës së Miloshevi

qit. Dhe, ndaj, ajo që do të ishte e mundshme në Gjermaninë post-hitleriane – të dënimit të gjenocidit, luftës e ideologjisë që çoi tek ajo - nuk është e mundshme, në përmasat larg më të vogla të shkatërrimit në Serbinë post-milosheviçiane.

Pra, nuk kemi dëgjuar një sintoni të fjalorit të Serbisë zyrtare me atë të Gjykimit në Hagë, sepse kjo do të obligonte që Serbia të braktiste politikën e saj që po e mbante tërë regjionin peng për një çerek shekulli. Nuk ka sintoni, sepse duhej të bëhej deklarimi publik se Serbia duhet të kërkojë falje prej qytetarëve të BeH për të gjitha bëmat e luftës dhe të bëmat e pasluftës që po e mbajnë këtë shtet si jofunksional. Nuk ka sintoni, sepse duhej të bëhej kërkimi i faljes qytetarëve të Kosovës për dhunën kolektive që ka ushtruar Republika e Serbisë kundër tyre dhe duhej ftuar Kosovën që sa më shpejt të normalizohen marrëdhëniet mes të dy shteteve si të barabarta e të gatshme për një ardhmëri partneriteti. Nuk ka sintoni, sepse duhej pranuar se Mali i Zi është shtet më vete, me rrugë të qartë euroatlantike, së cilës duhet bashkëngjitur, e jo të vënë pengesa përpara, me çarje identitare dhe veprime të tjera nga arsenali i shërbimeve sekrete.

4.

Të dy të dënuarit janë të njohur në Kosovë.

Jovica Stanishiç, i quajtur “I akullti”, nga fama se fytyra e tij nuk reflektonte asnjë emocion, ka qenë shef i sigurimit shtetëror përgjatë luftërave në ish-Jugosllavi e në Kosovë ka qenë i njohur më së shumti për një episod. Në të Shërbimi i sigurimit shtetëror serb siguroi bashkëpunimin e një personi publik shqiptar (që vazhdon të jetë publik edhe sot) në mënyrë që të hapet një kanal komunikimi me persona me ndikim politik ndër shqiptarë. Qëllimi ishte të krijohej një platformë që do të largonte shqiptarët nga konsensusi për pavarësi.

Franko Simatoviç i quajtur “Frenki”, vartës i Stanishiçit, ka qenë krijuesi i parë i formacioneve paramilitare në ish-Jugosllavi, në Kroaci. Nën direktivën dhe komandën e Sigurimit shtetëror janë formuar pastaj të gjitha njësitë famëkëqija paramilitare, nga ato të Arkanit deri te “Vetëtimat” . Pas tetë vjet ushtrimi vrasjesh dhe dhunimesh gjithandej ish-Jugosllavisë, këto njësite, të prira nga “Beretat e kuqe” të Frenkit arritën në Kosovë për të ushtruar masakrën më të madhe të popullatës civile, posaçërisht brenda 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s.

Që të gjitha këto kanë qenë të njohura edhe para këtij gjykimi. Në fakt, ndërmarrja e përbashkët kriminale është pjesë e aktgjykimit të Nikolla Shainoviçit e të tjerëve në Gjykatën ndërkombëtare për ish-Jugosllavi më 2009. Dhe, në të, njëjtë sikur në aktgjykimin e Stanishiçit dhe Simatoviçit, metodologjia operacionale është e njëjtë: dëbimi i popullatës joserbe, vrasje, dhunime, torturë të popullatës civile. Që të gjitha me zinxhir të qartë komandues; jo shkarje të disa të padisiplinuarve.

Është dashur pra që konstatimi juridik, se në Kosovë shteti i Serbisë ka vepruar nëpërmjet një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, të gjente reflektimin e vet në politikë. Kjo do të thoshte që sot Kosova dhe Serbia të mos gjenden në ciklet e rregullta të tensioneve, por që ta lënë pas luftën duke e dënuar ideologjinë që e solli dhe shkatërrimin që e shkaktoi në jetë njerëzish.

Në vend të kësaj është krijuar një distancë e qartë mes konstatimit juridik të së kaluarës dhe realitetit politik.

“I Akullti” dhe Frenki e dënuan me veprimet e veta Serbinë. Tash i mbetet Serbisë ta pranojë këtë.

M.T/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bajei: 10/06/2023 03:26

    Po Kosova or mik, pse nuk hap nje ceshtje gjenocidiale ndaj serbise dhe te gjithe tepricave te sistemit te Milloshevicit?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?