Tiranë- Gjykata e Posaçme dënoi me 18 vite burg në mungesë Talo Çelën, i akuzuar për megagrabitjen e 5.4 milionë eurove në pistën e Aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, në prill të vitit 2019.
Talo Çela, një prej shqiptarëve më të kërkuar, u gjykua veçmas nga të akuzuarit e tjerë, ndërsa SPAK kërkoi për të 19 vite heqje lirie. Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Erjon Bani, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri.
Ndërkohë anëtarët e tjerë të grupit u dënuan dy vitë më parë. GJKKO në tetor 2022, dënoi me 122 vite burg 7 të pandehurit e grupit kriminal. 20 vite burg për Klement Çalën, vëllai i tij, Eldi Çala, u dënua me 17 vite. I njëjti dënim u dha për Renaldo Sulën, Saimir Çelën, Elton Piklin dhe Alkond Bengasin. Të gjithë këta u akuzuan se bashkëpunuan për grabitjen e Rinasit. Shtatëshja e grabitësve në pistën e Rinasit kishte si bashkëpunëtorë Talo Celën dhe Admir Muratajn, i cili u vra gjatë arratisjes nga grabitja.
Por Talo Cela ka edhe hesape të tjera me drejtësinë. Një nga personat e shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, që çoi në kapjen e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajt si dhe të disa personave të tjerë, pjesë e botës së krimit.
Grabitja ndodhi në 9 prill e vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Admir Murataj.