GJKKO ka dënuar me 1 vit burg Nikolin Nikën, i cili akuzohet për korrupsion të funksionarëve të drejtësisë. Por, dënimi Nikës do t'i konvertohet në shërbim prove për 2 vite.
Në vendimin e GJKKO thuhet se urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë të pandehurit Nikolin Nika, për një periudhë kohe prej 2 vitesh, me kusht që i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës Lezhë.
Gjithashtu, Nika është i detyruar të paguajë shpenzimet procedurale në fazën hetimore dhe gjyqësore, në vlerën 6,000 lekë.
'Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Miratimin e marrëveshjes së fajësisë me të pandehurin Nikolin Nika, datë 05.05.2025, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 i K.Penal”. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Rudina Palloj, me vendimin Nr. 39, datë 29.05.2025 vendosi: Miratimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë për të pandehurin Nikolin Nika, në kuadër të procedimit penal nr. 131 të vitit 2024, më datë 05.05.2025, nënshkruar nga prokurori i çështjes Elvin Gokaj, i pandehuri Nikolin Nika dhe mbrojtësi i tij av. A.S.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Nikolin Nika, për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 i K.Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë të pandehurit Nikolin Nika, për një periudhë kohe prej 2 (dy) vitesh, me kusht që i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës Lezhë.
Afati i provës fillon nga e nesermja e shpalljes së vendimit për pezullimin e dënimit me burgim. Në bazë të nenit 60 pika “9” të Kodit Penal urdhërohet i pandehuri të mos shoqërohet me persona të dënuar. Shpenzimet procedurale në fazën e hetimit paraprak në masën 6 000 (gjashtë mijë lekë) dhe ato gjyqësore, do të paguhen nga i pandehuri Nikolin Nika', thuhet në njoftim.
Komente

Keta te GJKKO po na zhgenjejne shume jo vetem me denimet qesharake qe po japin,por dhe per shkurtimin e tyre.Dhe sikur te mos mjaftonte kjo,i vene si gjobe vetem shpenzimet gjyqesore qe jane te detyruar t'i paguajne sido qe te ishte.
Përgjigju