31-vjeçari shqiptar, Magiljan Deda është arrestuar në Mal të Zi pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për kultivim të bimëve narkotike në Lezhë. Gjykata e Lezhës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest në burg", me akuzën e kultivimit të kanabisit të kryer në bashkëpunim. Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet malazeze për të bërë të mundur ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Arrestimi i Dedës lidhet me operacionin policor të koduar “Vakumi”, i zhvilluar në prill të këtij viti. Sipas hetimeve, Deda dhe një tjetër kishin kultivuar 1640 bimë narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshte, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan rreth 34 kilogramë kanabis i paketuar dhe i gatshëm për shitje.
Më 18 prill, policia e Lezhës arrestoi në flagrancë tre persona Gjovan Gjinin, Agustin Çotajn dhe Pashk Ndrecën, të cilët u kapën në dy sera ku kultivohej kanabisi, si dhe shpalli në kërkim Magiljan Dedën dhe një tjetër. Hetimet zbuluan gjithashtu se ata bashkëpunonin me David Ndoj dhe Mir Ndoj, të cilët ishin ndaluar një ditë më parë, më 17 prill, teksa transportonin rreth 34 kg kanabis të sekuestruar gjatë operacionit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet faza e radhës e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit intensiv me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kapet në Malin e Zi dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një shtetas i akuzuar për kultivim të bimëve narkotike, në Lezhë.
Falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij me Policinë e Malit të Zi, nëpërmjet Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi në Malin e Zi, me qëllim ekstradimi në Shqipëri, i shtetasit shqiptar:
M. D., 31 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 23.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Vakumi”, i zhvilluar në muajin prill 2025, dyshohet se shtetasi M. D., ka bashkëpunuar me 1 shtetas të arrestuar gjatë këtij operacioni, për kultivimin e 1640 bimëve narkotikëve, në fshatrat Gocaj dhe Rraboshte, Lezhë. Gjatë operacionit “Vakumi” janë sekuestruar rreth 34 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e paketuar për shitje.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasit M. D., në Shqipëri.
Komente
