Kreshnik Farruku

Kronikë

I akuzuar për trafik droge në Spanjë/ Gjykata e Lartë liron nga burgu Kreshnik Farrukun, e lë në 'arrest shtëpie'

20 Maj, 17:21| Përditesimi: 20 Maj, 17:28

  • Share

Gjykata e Lartë ka pranuar sot rekursin e të arrestuarit Kreshnik Farruku dhe mbrojtësit Arbër Hoxha, ku ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit dhe ka lënë në fuqi Vendimin e Shkallës së Parë Durrës. Nëpërmjet këtij vendimi Farruku lirohet nga qelia dhe lihet me masën e sigurimit ‘arrest shtëpie’.

Ai u arrestua më 11 janar 2025 nga forcat RENEA në Manzë, Durrës, me urdhër të SPAK-ut dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Firences, për qëllime ekstradimi në Itali.
Më 2 prill 2025, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi të revokojë masën e sigurisë "arrest në burg" ndaj Farrukut. Kjo erdhi pas zbulimit se komunikimet në aplikacionin SKY ECC, të cilat ishin përdorur si prova kundër tij, në fakt i përkisnin vëllait të tij, Roland Farruku.

Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, Farruku nuk u lirua nga burgu. Kjo për shkak se Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm kishte ndryshuar masën e sigurisë nga "arrest shtëpie" në "arrest në burg" për qëllime ekstradimi në Itali, ku ai përballet me akuza për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Kështu, përfundimisht, ditën e sotme, datë 20.05.2025, Farruku ka lënë ambientet e paraburgimit duke u lënë të qëndrojë me masë sigurimi ‘arrest shtëpie’ deri në përfundim të procedurës së ekstradimit. Në seancën e 7 janarit 2025, gjykata e Durrësit kishte marrë në shqyrtim kërkesën për arrestimin e përkohshëm ndaj Kreshnik Farrukut dhe Erneo Farrukut, vëllai i tij, pasi Gjykata e Brescia, Itali, me vendimin Nr. 12042/2020 RGNR-5352/2021 RI GIP, datë 29.08.2024, ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”, si të dyshuar për veprat “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, parashikuar nga legjislacioni penal italian.

Ndaj 51-vjeçarit, i njohur edhe si Kreshnik Budlla, rëndojnë akuzat “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Klani Farruku
Kreshnik Farruku njihet si kreu i klanit dhe përdorte 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë. Ndërkohë, në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme i konfiskoi 27 pasuri të regjistruara në emër të Kreshnik Farrukut dhe vëllait Erneo Farrukut, përfshirë toka bujqësore, apartamente, dyqane dhe automjete.

Ndër pasuritë e konfiskuara numërohen disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”.

Dy vëllezërit akuzohen se drejtonin klanin Farruku, grup që u godit në Spanjë në vitin 2023 pas një megaoperacion kundër trafikut të kokainës ku u sekuestruan 2 ton kokainë. Dyshohej se kokaina ishte porositur nga klani Farruku në Ekuador dhe do futej në Spanjë.

Kreshnik Farruku është shqiptari që kishte përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë. Në maj 2010, Farruku u arrestua së bashku me 7 anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë. Në vitin 2014, Kreshnik Farruku, ose Kreshnik Budlla, u arratis nga burgu dhe u arrestua në vitin 2019, teksa kërkohej në Spanjë e Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave.

Në 2015, Kreshnik Farrukut i është bërë një atentat në Shqipëri, në zonën e Don Boskos. Sipas mediave spanjolle, Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në 2010, për shkak të pazareve të drogës, por më pas rezultoi se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, që u vra në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.

Emri i Farrukut doli së fundmi edhe në komunikimet e Sky ECC në dosjen e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Nga bisedat e transkriptuara, ish-deputeti i jepte informacione sekrete që të kontrollonte ambientin përreth banesës së tij, pasi kishte informacion se mund të ishte në vëzhgim nga punonjësit e SHISH.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?