TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Ramazan Rrajës për lirimin nga qelia. Rraja u arrestua në prill të vitit 2023 pas një kohe të gjatë në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës në vitin 2019.
Kjo është e treta herë që Ramazan Rrajës i refuzohet kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’.
Ramazan Rraja u arrestua në një lokal në zonën e Fushë-Krujës, ndërsa ishte me pistoletë në brez dhe fishek në fole gati për qitje. 30-vjeçari, një njeri i njohur i botës së krimit, nip i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rrajës, ishte shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Rrumit të Shijakut.
Në 20 janar 2023 për atentatin ndaj Ndojës u arrestuan Genti Ndërjaku alias Akil Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija. Në 22 shkurt po të 2023 u arrestua në Abu Dhabi Amar Dritan Shkëmbit. Ndërsa sot (8 shkurt 2024) po në Abu Dhabi Julian Meçaj. Në kërkim për atentatin mbetet Plaurent Dervishaj.
SPAK pretendon se Ramazan Rraja, bashkë me kushëririn e tij Redjan Rraja , i cili është dënuar me burgim të përjetshëm dhe persona të tjerë kanë organizuar atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja më 1 nëntor 2019. Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe u plagos Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.