Një pasuri marramendëse prej 26 milionë e 500 mijë euro i janë sekuestruar ditën e sotme nga Prokuroria e Tiranës një 45-vjeçari të quajtur Kristian Koni. Ky i fundit përdor edhe emrin Olsi Meta dhe 3 identitete të tjera (K. M., Z. R. dhe K.Z.)
Organi i akuzës ka vendosur sekuestro preventive mbi 18 pasuri të paluajtshme të 45-vjeçarit Koni duke përfshirë dy automjete luksoze të llojit Range Rover dhe Smart, të regjistruara me targa karakteristike, si dhe llogaritë bankare të personave fizikë dhe juridikë të përfshirë në këtë hetim. Pasuritë përfshijnë prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës, Marikajt etj.
Kristian Koni rezulton të jetë një person me precedent të theksuar kriminal në të kaluarën. Ai ka qenë i dënuar për vrasje me paramendim dhe trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
45-vjeçari Koni ka qenë pjesë e një rrjeti të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë periudhës 2007–2012.
Nga hetimet e prokurorit të Tiranës, Ndini Tavani, është zbuluar se pasuritë miliona euroshte të Kristian Konit janë vendosur në emër të tij, nënës së tij në pension F.M. dhe shoqërisë “Kriol.Al” në pronësi të vetë 45-vjeçarit.
“Sipas të dhënave të administruara nga sistemet zyrtare dhe burime të tjera ligjore, u evidentuan pasuri të shumta të paluajtshme, automjete luksoze dhe llogari bankare në emër të: Shtetasit K. K. Shtetases F.M., dhe Subjektit juridik “Kriol.AL” sh.p.k., me përfaqësues ligjor të njëjtin shtetas.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Policia e Tiranës që bëri ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për sekuestrimin e pasurive, ka publikuar edhe foto të disa vilave të tij në disa nga zonat më elitare, nga Tirana e deri në Palasë në bregdetin e jugut.
Ndërkohë, hetuesit po vijojnë punën për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera në Konit që dyshohet se e kanë origjinën nga veprimtaria kriminale.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, sekuestroi pasuritë e shtetasit K.K. (alias O. M, K. M, Z. R, K.Z.) dhe personave të lidhur me të, që dyshohet të jenë përfituar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet veprimtarisë kriminale.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.10, të datës 31.07.2025, rezultoi se ky shtetas dhe nëna e tij në pension, kanë veprimtari me origjinë kriminale që lidhet me shtetasin K.K. dhe historikun e tij të mëparshëm kriminal. Ai rezulton i përfshirë në një rrjet të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë periudhës 2007–2012. Po ashtu, u dokumentua përdorimi i disa identiteteve të ndryshme, si dhe transaksione financiare të pajustifikuara në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara të personave përkatës.
Sipas të dhënave të administruara nga sistemet zyrtare dhe burime të tjera ligjore, u evidentuan pasuri të shumta të paluajtshme, automjete luksoze dhe llogari bankare në emër të:
Shtetasit K. K.
Shtetases F.M., dhe
Subjektit juridik “Kriol.AL” sh.p.k., me përfaqësues ligjor të njëjtin shtetas.
Në total janë vendosur masa sekuestroje preventive mbi 18 pasuri të paluajtshme, dy automjete luksoze të llojit Range Rover dhe Smart, të regjistruara me targa karakteristike, si dhe llogaritë bankare të personave fizikë dhe juridikë të përfshirë në këtë hetim. Pasuritë përfshijnë prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës, Marikajt etj.
Sekuestrot janë vendosur me qëllim:
Parandalimin e tjetërsimit ose përdorimit të këtyre pasurive për qëllime kriminale;
Garantimin e ekzekutimit të vendimeve të mundshme gjyqësore mbi konfiskimin e tyre;
Prokuroria e Tiranes siguron opinionin publik se çdo veprim po zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin procedural penal dhe masat kundër pastrimit të parave, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendase dhe ndërkombëtare.
Hetimet vijojnë dhe pritet që në vijim të identifikohen edhe pasuri të tjera të lidhura me veprimtarinë kriminale.
Report Tv ka zbardhur të tjera detaje nga e shkuara kriminale e 45-vjeçarit Kristian Koni me 4 identitete të tjera, të cilit sot (28 gusht 2025) ju sekuestruan pasuri me vlerë 26 milionë euro.
Kristian Koni alias Olsi Meta ka qenë i dënuar në Itali si pjesë e një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke mbajtur lidhje edhe me eksponentë të Camorras napoletane.
Sipas dosjes hetimore të asaj periudhe, organizata kriminale eksportonte marijuanë e kokainë nga Spanja, Holanda dhe Shqipëria, të cilat i dërgonin më pas në Itali, dhe që si bazë të operacioneve të tyre kishin zgjedhur zonën e Puglias dhe të Barit.
Rreth 20 vite më parë, kur dhe kjo organizatë kriminale u godit nga autoritetet italiane, u arrestuan disa shtetas italianë dhe shqiptarë, mes të cilëve Dritan Aga 33 vjeç (në atë kohë), Arian Aga 31 vjeç, Loni Paluka 28 vjeç.
Roli i Kristian Konit në organizatën e drogës në Itali:
Kristian Koni ose Olsi Meta konsiderohej nga autoritetet italiane si koka e organizatës, që e drejtonte nga Bolonja, një qytet strategjik për shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytete të ndryshme të Italisë.
Olsi Meta konsiderohej si i pakapshëm dhe jetoi në Bolonja për disa vite, duke furnizuar me kokainë qytetet kryesore italiane, përfshirë edhe ato në Puglia.
Olsi Meta ose Kristian Kroni, së bashku me Arben (Loni) Palukën e Artan Karajn, u arrestua në Dhjetor të vitit 2007, por më vonë u lirua dhe u arratis.
Trafiku i drogës dhe lidhjet me Camorran napoletane:
Paluka ai që mbante frenat e organizatës në zonën e Altamuras, në kontakt të ngushtë me Fran Çokun. Ky i fundit ishte përgjegjësi në Shqipëri prej nga siguronte dhe dërgonte në Itali lëndët narkotike përmes porteve të Barit dhe Brindisit.
Që të dy ishin gjithashtu në kontakt me Gaetano Marinon, i cili ishte një nga udhëheqësit e klanit të camorras napoletane, “Secondigliano”. Një tjetër anëtar i dyshuar i Camorras, Santolo Carotenuto, garantonte dërgesat e narkotikëve nga Holanda në organizatën shqiptare të trafikimit të drogës.
Përgjatë viteve të funksionimit të kësaj organizate kriminale, policia italiane kishte arrestuar disa persona si dhe kishte sekuestruar 50 kilogramë marijuanë, kokainë dhe heroinë. Një sasi prej 43 kg marijuanë që ishte sekuestruar, ishte e paketuar në blloqe dhe e fshehur në gomën rezervë të një kamioni të nisur nga Shqipëria.
Një individ me identitet të dyfishtë është vënë nën hetim nga organet ligj zbatuese me dyshime të forta për pastrim parash. I dalë nga hiçi, Olsi Meta alias Kristian Koni, është ngritur në piedestal, duke u lartësuar në rangun e biznesmenëve dhe oligarkëve, për nga paratë që qarkullon.
Por kjo rritje galopante kryesisht në fushën imobilare, ka sjellë edhe dyshime të forta se bëhet fjalë për pastrim parash në vlera të mëdha. Informacionet e organeve janë se Meta po sjell paratë nga trafiqet e narkotikëve dhe po i investon në ndërtime në Tiranë dhe bregdet.
Burimet nga organet ligjzbatuese i thanë VoxNews se Meta ka bashkëpunuar edhe me biznesmenë të tjerë, egzistues në Shqipëri, për t’u marrë troje, godina dhe apartamente, duke krijuar një zinxhir. Në fakt, gjithçka bëhet vetëm me letra dhe për bilance, pasi paratë kanë burime të paligjshme.
Sipas dokumenteve që hulumtoi VoxNews, në vitin 2021, Olsi Meta alias Kristian Koni, krijoi firmë Kriol.al. Firma ka si objekt eksportin e automjeteve, shit-blerje të pasurive të paluajtshme dhe reklamim për kompanitë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e internetit. Madje, e njëjta kompani merret edhe me internet, televizion, konsulenca menaxheriale, tregti të frutave dhe perimeve apo edhe pjesëmarrje në kuota.
Çdo të thotë pjesëmarrje në kuota?! A mos vallë merren me call-centera dhe me bursa? Një veprimtari e ndaluar në Shqipëri, pasi të tilla aktivitete bëhen për zhvatje dhe mashtrime në fusha të mëdha. Informacionet nga policia e prokuroria flasin se Meta, krahas dyshimeve për pastrim parash, merret edhe me call-centera të paligjshëm, duke krijuar lidhje deri në kupolat e disa organeve.
Hetimet dhe hulumtimet e mëvonshme mund të zbardhin të gjithë aktivitetin e paligjshëm, por firma e tij, duke pasur një objekt me dhjetëra fusha, në vend për abuzime dhe pastrim parash.
Firma merret edhe me transport të mallrave dhe udhëtarëve brenda dhe jashtë vendit, si dhe çdo veprimtari tjetër ekonomike që konsiderohet e nevojshme për shoqërinë. VoxNeës shfletoi edhe lejet për transport, ku nuk rezulton se kompania Kriol.al të ketë marrë ndonjë licencë transporti. Por nëse nuk transporton njerëz dhe mallra, çfarë sjell në Shqipëri Meta?! Dyshimet janë se paratë nga aktivitetet e paligjshme, brenda dhe jashtë vendit, investohen në pasuri dhe biznese.
Redaksia jonë shfletoi edhe bilancet e fundit të kompanisë Kriol.al, ku rezulton se ka xhiruar qindra mijëra euro, pavarësisht se nuk ka ndonjë aktivitet të mirëfilltë. Dyshimet janë se pronarët dhe administratorët kanë krijuar një rrjet kompanish që bëjnë vetëm fatura furnizimi, por që në fund fitimet janë minimale. Në vitin 2024, sipas dokumenteve, Kriol.al ka dalë me një fitim prej rreth 12 mijë eurosh. Pra, 1 mijë euro në muaj.
Ndërkohë, që në të njëjtin vit firma ka xhiruar gjysëm milioni euro, duke bërë kontrata me kompani të tjera. Duket një rrjet i madh pastrimi parash, pasi paratë investohen në pasuri të paluajtshme dhe më pas shpërndahen.
I njëjti person, me një begraund tepër të dyshimtë, ka hapur një tjetër kompani në vitin 2023. Sipas dokumenteve që hulumtoi VoxNews, objekti i firmës është dhënie e apartamenteve, dhomave me qira, konsulencë marketingu dhe broker. Sërish me objekte të shumta, çka i mundëson që të bëjë fatura të pafundme për shërbime që askush nuk e di nëse janë bërë apo jo. Organet ligjzbatuese duhet të shohin se kush person, individ, ka bërë pagesa për këtë kompani.
Apo të shohë se me cilat firma apo biznese bashkëpunon Meta (Koni) që ka marrë apartamente dhe dhoma me qira. Aq i fuqishëm është ky individ, që ka filluar të xhirojë miliona euro, dhe ka hapur biznese të pafundme? Madje me nipte sekondare, ku të gjitha të dhënat të çojnë të pastrimi i parave.
Nëse do të themelosh një kompani me 100 mijë lekë dhe më pas të xhirosh miliona euro, natyrisht që të gjitha indiciet të çojnë të pastrimi i parave, pasi aktiviteti i kompanisë fillon në Tiranë dhe përfundon në zonat bregdetare elitare në Palasë dhe Dhërmi.
Ndërkohë që dyshimet janë edhe për aktivitete të tjera në fushën e call-centerave, pasi adresat e kompanive që ai ka themeluar përkojnë me celulat e tyre në kryeqytet. Nga këto aktivitet ai ka arritur të përvetësojë prona të pafundme, si troje, vila, apartamente apo edhe hotele. /Voxnews
Policia e Tiranës njoftoi sot se Kristian Konit, 45-vjeçarit të arrestuar për trafik droge në Itali i janë sekuestruar 26 milionë e 500 mijë euro pasuri, përfshirë:19 prona, 2 automjete dhe 20 llogari bankare të regjistruara në emër të tij.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit K. K., alias O. M., 45 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Pasuritë e sekuestruara janë konkretisht: 19 prona, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të 45-vjeçarit ose të familjarëve të tij, me vlerë tregu rreth 26 milionë e 500 mijë euro.
Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente

Mos i konfiskoni pasurit ketyre heronjve qe e bejn koken per qepe dhe investojn ne shqipri rrisin mirqenien e shqipris,me taksat e tyre paguhen mesus mjek politikan.a keta te fundit (politikant)duhen futur ne burg se vjedhin taksat e ketyre qe punojn per jet a vdekje.
PërgjigjuPolitikanet jan te partise. Ky nuk eshte. Metes dhe berishes (dhe shume te tjereve) nuk ju bejne dot gje se jan ortake te gjithe. Dhe ku do shkojne keto para nga shitja e ketyre vilave???. Si ghjithmone propaganda e partise do na thote qe shkojne te populli....
Marshallah, allah allah.
Përgjigju