'E mësova që fëmijë, kur shkoja me dele', 'Mjeshtri i madh' Vendim Kapaj rrëfen si nisi pasioni për fyellin: Berlusconi mu përkul tri herë në gjunjë pas koncertit

24 Mars 2021, 21:04| Përditesimi: 24 Mars 2021, 21:45

  • Share

Me një kostum popullor tipik të zonës së Labërisë "Mjeshtri i madh" i veglave muzikore Vendim Kapaj në një intervistë për Report Tv ka treguar se si ka nisur pasioni i tij për t'i rënë fyellit. Që nga viti 1979 ai thotë se filloi duke e praktikuar instrumentin me dhëmbë, karakteristikë kjo që e bën atë më të veçantë nga artistët e tjerë.

Në fillim kur shkonte me bagëti bënte pipizane dhe krijonte melodi me to. Në 1968 filloi të praktikohej nëpërmjet grupeve, i pari grupi i Kërkovës.E nisi si një pasion në fëmijëri e tanimë bën më shumë se 50 vite që i bie fyellit duke u bërë mjeshtër i madh instrumentist për të gjithë Labërinë. Por gjatë kësaj karrierës së tij ai trëgon se ka pasur edhe takime me figura të larta. Në Francë dhe në Itali ka dhënë disa shfaqje. Koncerti më i veçantë për të ka qenë në vitin 2000 në Itali. Kapaj thotë se ish presidenti Silvio Berlusconi e nderoi dhe u përkul tri herë në gjunjë kur ai përfundoi koncertin.

Intervista e plotë:

            Jeni mjeshtër i veglave muzikore ose kështu ju kanë quajtur të gjithë me radhë. Që kur keni nisur t’i bini fyellit dhe veglave të tjera dhe si ka ardhur ky pasioni juaj?

            Është diçka, është me dëshirën e çdo njeriut edhe është edhe pasioni, është edhe trashëgimia fisnore. Unë fillimisht e kam marrë që në vitin 1967-1968 fyellin, se më përpara i bija pipizaneve, siç i themi ne, pip si ata me kallama dhe me pasionin tim, duke i rënë me gjashtë gishta, se nuk e kapja dot birën e shtatë, fillova sa, por me buzë fillimisht deri më 1978. Me një fjalë nga viti 1979 e këtej fillova duke e praktikuar instrumentin me dhëmbë.

            Sa vjeç keni qenë në periudhën kur keni nisur t’i binit? Cila ka qenë vegla juaj e parë?

            Vegla ime e parë ka qenë pipizania, siç u themi ne, pipëza me kallama, se isha fëmijë.

            Krijon melodi?

            Krijon posi. Të gjitha meloditë që janë, janë të vetëkompozuara nga unë dhe kam patentën time, pasaportën time individuale. Nuk kam kopjime, nuk kopjoj të jerët. Por kuptohet që kam pasur një indicie nga të parët e mi, nga im atë, nga kushërinjtë e mi, se i kemi rënë të gjithë si fis.

            Ju jeni nga Kërkova dhe thatë që vegla e parë ishte pipizania. Nga e dinit ju që pipizania lëshonte muzikë? Nga e morët këtë?

            Po kisha parë edhe fëmijë të tjerë që ashtu dhe nga e morëm? Ajo është logjike. Kur bënim këto që u thoshim ne kallamishte, të tërëshërës, duke i bërë me tri bira, pastaj me pipizane. Flas gjithmonë kur isha fëmijë 6-7 vjeç. Pastaj më ra në dorë fyelli. Fillova t’i zija birat se gishtat nuk i praktikoja dot, nuk e zija dot të gjithë atë hapësirën e birave të fyellit. Pra, duke i rënë me katër bira, me pesë, me gjashtë sa arrita, duke aplikuar të gjitha notat muzikore. Nota s’ka, por birat e fyellit. Dhe kështu që fillova të praktikohesha me Hasanin e Nartës. Kam qenë me grupin e fshatit të Kërkovës.

            Në çfarë moshe keni qenë?

            Thashë që më 1968 fillova të praktikohesha nëpërmjet grupeve. Atëherë kam qenë 9 vjeç. Me grupin e Kërkovës dhe duke ikur nga Kërkova në këmbë dhe jepnim shfaqje në Nartë sepse ishte kooperativa e bashkuar dhe Narta ishte qendra e kooperativës dhe atje bëheshin këto festivalet. Pastaj kur u bë grumbullimi për në Festivalin Kombëtar, ishte Festivali i 2-të, më 1973, Narta më caktoi, duke bërë konkurimin zonal që i thoshim ne. Edhe sot e kësaj dite e bëjmë konkurimin zonal, pastaj bëhet dërgimi për në konkurimin qendror, në konkurimin e rrethit të Vlorës. Aty zura vend. Ka qenë përgjegjës kulture në atë kohë ka qenë i madhi Liomone.

            Ju keni karakterisikë që i bini me dhëmbë.

            Po.

            Çfarë ndryshon nga buzët me dhëmbë. Si është kjo?

            As vetë nuk e di se si e praktikova atë me dhëmbë. Unë duke qenë me bagëtinë në atë kohë, kisha disa bagëti të imta, dele, shkoja me bagëti dhe unë nuk mbaja kërrabë, vetëm fyellin kisha në dorë, si kërrabë, si instrument muzikor dhe mbaja bagëtitë, aq sa lejonin në atë kohë, 10 kokë dhen, e shumta 15 kokë dhen. Dhe duke i rënë praktikoja me dhëmbë, dilte melodia me dhëmbë, jepte tingull. Duke e praktikuar dhe kur shkoj më 1983 në festival, me një fjalë në konkurimin zonal, më pyetën se si i bija. As vetë nuk e dija, me një fjalë ishte një rastësi.

            Ju jeni i vetmi?

            Tani për tani kështu thonë, jo se unë kam parë njeri, por më thonë që jam i vetmi. Unë nuk mburrem që të them se jam i vetmi, ndoshta mund të ketë, por në këtë mënyrë që i bie, madje mund të mbaj edhe cigaren në buzë ose edhe qesh. Njerëzit pyesin se si ka mundësi, por mua më duket gjë e thjeshtë.

            Ka ndonjë ndryshim t’i biesh me buzë dhe me dhëmbë? A është më e vështirë?

            Ndryshimi është shumë i madh sepse unë, që kur e kam praktikuar me dhëmbë, më duket më e thjeshtë, më e lehtë. Kurse me frymë më lodhen shumë muskujt e buzëve. Ndoshta ngaqë nuk e kam praktikuar se u bënë vite që nuk i bie më me buzë, që kur u mësova me dhëmbë dhe më duket më e thjeshtë, për mua, për të tjerët nuk e di. Dhe kam edhe diçka, një prioritet të madh, që kam besim se edhe sikur vetëm me një dhëmb të mbetem, uroj të mos më lënë duart, do t’i bie fyellit me atë dhëmb.

            Ju nuk i bini vetëm fyellit.

            Edhe curlës dyjare, është logjike, përderisa mëson t’i biesh fyellit, curla dyjare duket si një lodër. Flas për ne që i biem fyellit, jo vetëm për veten time, por për të gjithë ata që i bien fyellit, i bien edhe curlës dyjare. Është një instrument shumë i bukur, shumë i thjeshtë për ne që u biem këtyre lloj instrumenteve, sidomos fyellit. Ka mjeshtra akoma më të mirë se unë në curlë dyjare. Unë e kam thjesht hobi, që është instrument popullor dhe pse jo, pse të mos e praktikoj dhe them se jam i kënaqur me instrumentin nr. 2.

            Keni të paktën mbi 50 vite që i bini fyellit. A keni ndonjë mbresë nga e kaluara?

            Mbresat e mia me këtë instrument janë të shumta. Ëndrra ime më e madhe në fillim fare ka qenë që, ëndërroja me atë ëndrrën time fëmijërore, atëherë kuptohet që s’kishte televizor, kishte vetëm radio, dhe doja që të dilja vetëm në herë në radio. Dhe ëndrra m’u realizua që dola për herë të parë në radio, më 1973.

            Si u prit në atë kohë?

            Bujë e madhe. Arti ishte primar në atë kohë dhe dëgjohej me një kureshtje shumë të madhe. Dhe e mbaj mend që e gjithë mosha ime dhe të tjerë nën moshën time, me një fjalë, që janë rreth 50 vjeç, mbaj mend atëherë që kur çoheshin altoparlantët nëpër shtyllat elektrike, altoparlantët e mëdhenj dhe një amplifikator që e hapte kryetari i këshillit, çdo të premte jepte muzikë popullore dhe bënim shaka me njëri-tjetrin, “me këtë rast, - thoshim, - përshëndesim filanin”, ne në familje. Kështu që jepej edhe melodia ime me fyell dhe unë e quaja veten diçka, që dëshira ime më e madhe u arrit që dola në radio.

            E megjithatë, ndër vite ju u bëtë mjeshtër. Por gjatë kësaj periudhe keni pasur edhe takime me figura të larta.

            Para se të tregoj për këto takimet me personalitete të shquara, të larta, dua të them edhe diçka, kur shkuam për herë të parë në festivalin botëror në Francë. Ka qenë viti 1989. U nis Ansambli “Labëria” i Vlorës, që ishte një mrekulli. Ishte koha atëherë, kur u nisëm nga pallati i kulturës në Skelë, në orën 9 të mëngjesit, është mbledhur populli i Vlorës dhe na ka përcjellë me tufa me lule. Ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm sepse, si të them, ne artistët, po nuk patëm publikun dhe kur kënaqet publiku, kënaqësia jonë është e jashtëzakonshme. Ushqimi kryesor për ne janë duartrokitjet e publikut.

            Keni dhënë shfaqje në Itali? Si jeni pritur?

            Në Itali kam dhënë disa herë koncerte, më saktë me dhjetëra herë, nga jugu në veri. Por më e veçanta ka qenë në vitin 2000, në mos gaboj, kur ishte kryeministër Fatos Nano. Vjen edhe Berluskoni në Butrint. Atëherë Auron Tare ka qenë drejtori i Butrintit. Në orën 11 më merr Arta Dade, ish-ministre e Kulturës: “Zoti Kapaj, nesër do të shkoni në Butrint se do të vijnë dy kryeministrat, Kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni dhe kryeministri ynë Fatos Nano”. Shkoj, por unë e dija mirë atë vendin tim atje se për pesë vite rresht kemi zhvilluar festivalin “Fyelli Magjik” dhe për pesë vite rresht unë kam marrë çmimet e para “Fyelli Magjik”, prandaj e kanë quajtur edhe kështu fyellin tim. Ishte një festival i mrekullueshëm, tregonte atë për vdekjen e Panit. Është në mitologji vdekja e Panit. Në atë kohë kur vijnë dy kryeministrat, pa mikrofon fare se është vetë akustika në Amfiteatrin e Butrintit, dhe ua shpjegon ai ciceroni, u thotë që amfiteatri dhe i gjithë Butrinti është qytet i lashtë, prej kaq vitesh. Ai tha: “Të gjitha më pëlqejnë, po atë ku e keni pikasur?”. Ia shpjegon ai që instrumenti është i vjetër e të tjera. Tha: “Mrekulli, mua të gjitha më pëlqyen, por më shumë më pëlqen ai”.

            Berluskoni si e priti?

            Berluskoni ia thoshte këto kryeministrit tonë dhe në atë kohë kur përfundova, më nderoi dhe u përkul tri herë në gjunjë.

            Kush ua ka mësuar juve? A e ka marrë dikush nga fëmijët?

            Unë duke parë njerëzit e mi, të afërmit e mi, se ne jemi fis shumë i zgjeruar. Atje jemi dy palë mbiemra: Haxhiraj dhe Kapaj, jemi një gjak, siç i thonë, dhe ne të gjithë si gjak i kemi rënë fyellit dhe nga ata e kam marrë, komplet.

            A e ka trashëguar ndonjë nga fëmijët tuaj?

            Nga fëmijët e mi filloi ta mësonte vajza, i binte si puna ime me dhëmbë, por e pa që, s’dilte gjë nga ana materiale. Nga ana morale vlerësime kemi marrë shumë, medalje, diploma, certifikata. Po të marr një kurorë e ta var në qafë, si të them, unë jam i shkurtër, duhet të jetë një pemë shumë e gjatë 5-6 metra që të arrijë deri në rrënjë ajo dhe thosha me vete: ç’i dua? Unë për 30 vite kam bredhur duke shitur peshk nëpër rrugët e Vlorës. Nuk jam pishman se kam bërë punë të ndershme e mbi të gjitha artist në skenë, artist edhe në rrugë, me gojën time, me të gjitha, i lodhur, në shi, në borë, në breshër dhe ia di për faleminderit familjes, fëmijëve që ma shpërblyen, që u bënë dikushi. Këtë e them me kënaqësi dhe me mburrje sepse ma nderuan faqen, janë bërë dikushi. Kanë qenë shumë të mirë në mësime, kanë shkëlqyer dhe jam i kënaqur me ata. Kurse nga ana e shtetit fare, po them fare, fare. Jam i sinqertë për këtë. Nuk më kanë trajtuar.

            Ju jeni mjeshtër i madh, një njeri të cilit iu përulën dy kryeministra, një njeri që ka marrë dekorata pa fund, por që ka shitur peshk për 30 vite. Së fundi, cila është jeta e Vendim Kapajt?

            Tani së fundi, falënderoj shumë Bashkinë që mendoi për mua dhe më ka punësuar në lulishte, jam i kënaqur absolutisht. Unë jam njeri punëtor.

            Zoti Kapaj, keni qenë jashtë shtetit në Dubai në koncerte. Ku do të shkoni sërish?

            Të them edhe diçka tjetër. Në kohën e Enver Hoxhës, pra të monizmit, ka qenë ansambli “Labëria” dhe ka ekzistuar deri në vitin 1993, kur u rikrijua një ansambël solid me Shpëtim Aliajn. Pastaj nëpërmjet këtij ansambli lindën dy ansamble të tjera: ansambli “Bilbili” me president Sajmir Gjokoli dhe ansambli “Çipini” me president Tomor Lelin. Në të dy këto ansamble unë jam anëtar, por më dominues jam me ansamblin “Çipini”, me Tomor Lelin. Kemi bërë shumë aktivitete. Aty jemi mbledhur të gjithë këngëtarët e mirë, ku është Katina Bejleri e Himarës, Nazif Çela, Fatos Likua i Dukatit, Bardha Brahimi që ka qenë aty, Ajet Duka i Delvinës, Golik Bënça. Me një fjalë, kanë qenë mbi 400 artistë. Është Golik Lika kthyesi i Lapardhasë aty, është Vendim Zykaj i Vezhdanishtit, është Behxhet Mahmuti nga Treblova, ai qëka kënduar “Kam një grua teveqele”, në qoftë se e mbani mend. Janë edhe shumë të tjerë, të më falin kolegët dhe shokët që nuk po i përmend të gjithë. Është një ansambël solid. Përkundrazi, edhe ansambli “Bilbili”, ansambël  shkëlqyer ku ka këngëtarë të njohur, shumë të mirë.

            A do ta lërë Vendim Kapaj pasionin që ka për fyellin?

            Nga fyelli veç vdekja mund të më ndajë. Kurse tani, se kisha tek ansambli “Bilbili”, tani jemi në folkloratën botërore. E kishim më 2020, por për çështjen e pandemisë u ndërpre. E kishim më 18 korrik 2020. Dhe tani u konfirmua përsëri dhe do të shkojmë në Moskë, në Festivalin Botëror, ku janë shumë shtete, mbi 80 shtete. Është folklorata botërore. Shfrytëzoj rastin tani, juria nuk dëgjon gjë, por të jeni të sigurt se do të sjellim çmimin e parë.

            Ju thatë që e keni shtuar si pasion fyellin, por së fundi është kthyer edhe në një punë për ju. Më përmendët diçka më parë që në ceremoni mortore ju kërkojnë. Çfarë ndodh?

            Më pyet një zotëri se ku jam. I thashë që isha në fshat dhe ai më tha që do vinte të më merrte. Caktuam vendin e takimit, erdhi. Atë ditë ai do të varroste një të afërmin e tij, i cili i kishte lënë amanet që te varri ta qante me fyell Vendimi. Hera e parë kjo në jetën time. Tani kanë filluar të më kërkojnë edhe të tjerë. Kjo do të thotë se jam shumë krenar për instrumentin që përdorr, që njerëzit e pëlqejnë. Është edhe për derte. Unë si artist e kam ditur, por e shikoj që populli është më artist sesa ne artistët. Dhe e falënderoj shumë popullin. Edhe thashë edhe më parë që ne, pa popullin s’kemi ku të shkojmë si artistë. Dua të them dhe diçka tjetër. Kam qenë në shumë shtete, në Francë, në Bullgari, në Hungari, në Lituani, në Rusi, në Dubai, në Izrael, në Turqi disa herë, në Itali, në Holandë dhe gjëja më e pëlqyeshme dhe më e mirë ka qenë në Lituani, në vitin 1999. Një koncert i jashtëzakonshëm me ansamblin “Bilbili”. Kishim edhe vajzat me valle e me instrumente popullore. Kjo është për në kohën e demokracisë. Ka qenë një kënaqësi shumë, shumë e veçantë. Por që t’i përmend të gjitha duhet një natë e gjatë. Falënderoj edhe televizionin tuaj për këtë intervistë. Ju uroj suksese dhe shëndet.  Ju faleminderit shumë!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?