Kronikë

I biri 29-vjeçar 24 orë nën dhe, babai për Report Tv apel: Institucionet të na ndihmojnë, po gërmojmë vetë! Vetëm 7 ushtarë me çizme dhe lopata, firma nuk duket fare 

4 Maj, 13:09| Përditesimi: 4 Maj, 16:47

  • Share

Në Qafën e Burrelit prej 24 orësh vijojnë kërkimet për 29-vjeçarin Ardit Beshiri, i cili ishte duke punuar me eskavator kur një masiv i madh dheu e zuri poshtë në fabrikën e përpunimit të Kromit. 

Nerim Beshiri, babai i 29-vjeçarit, foli ekskluzivisht për Report Tv, ku mes dhimbjes apelon autoritetet shtetërore ta ndihmojnë të gjejnë të birin. Ai thotë se kanë ardhur vetëm 7 ushtarë por me mjetet që ato kanë në dispozicion është e pamundur gjetja, pasi rrëshqitja është gati 4 km.  

“Kanë ardhur 6-7 ushtarë, kanë ardhur vetëm me cizme dhe lopata. Nuk bëhet kjo punë kështu, duhen makina të mëdha. Na duhen mjete të specializuara apo edhe qen i përgatitur për zbulime të tilla. Kemi nevojë për ndihmë, institucionet të më ndihmojnë të gjejmë djalin",- shprehet Nerim Beshiri.

Beshiri thotë se janë braktisur nga kompania kineze që ka marrë me qira fabrikën.

“Nuk janë dukur fare, erdhën dje bënë ca letra dhe askush nuk është sot këtu”, thotë Beshiri. 

Eskavatori është ndarë në disa copa, pasi gjatë kërkime, kryesisht nga banorët e zonës janë gjetur disa pjesë por asnjë gjurmë nga 29-vjeçari Ardit Beshiri.

Policia ka arrestuar drejtuesin teknik të shoqërisë për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, Ademir Lala. 44-vjeçari është banues në Klos. 

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?