Politikë

'I dalë nga shpellat e mafias', Berisha ‘frikë’ nga Kodi i ri Penal: Nen për të mbrojtur Dumanin e Irena Gjokën, janë në shërbim të regjimit

30 Korrik, 13:13| Përditesimi: 30 Korrik, 17:28

  • Share

TIRANË- 'Narko kodi' e quan Sali Berisha draftin e ri për ndryshimet në Kodin Penal. Në një konferencë për mediat nga selia blu, fjalën e tij Berisha ia kushtoi sërish neni “536”, për të cilin hodhi akuza se është hartuar me qëllimin e vetëm, për të mbrojtur Altin Dumanin e Irena Gjokën.

Ky nen duket se e tremb kryedemokratin për rëndimin e pozitave të tij ligjore në të ardhmen nëse draft kodi miratohet pa ndryshime. Ai parashikon deri në 3 vite burg për ata që “bëjnë apo publikojnë komente me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj...”

Ky nen thotë Berisha, është atentat madhor kundër fjalës së lirë, ndërsa vijoi akuzat për Irena Gjokën e Altin Dumanin duke thënë se janë në shërbim të regjimit.

“Atentat madhor kundër fjalës së lirë, mendimit të lirë. Shkohet në atë shkallë sa bëhet një nen për të mbrojtur Altin Dumanin dhe Irena Gjokën. A mundet? Nuk besoj të ketë një vend në botë ku qytetarët, avoketërit, të mos kenë të drejtë të denoncojnë dhe dënojnë padrejtësinë që u bëhen në sallën e gjyqit.

Absurditeti i kodit tejkalon çdo kufi. Dhe pse ky nen për mbrojtjen e Irena Gjokës dhe Altin Troplinit? Sepse ata janë në shërbim të regjimit, më të inkriminuarit në sistemin e drejtësisë. A mund të imagjinoni ju një mercenar që kryeson prokurorinë speciale me katër banesa, gjatë gjithë jetës së tij me një rrogë, dhe gjen edhe megafonët e Edi Ramës që thonë se është i ndershëm”, tha Berisha.

Duke iu referuar edhe deklaratës së kryeprokurorit Olsian Çela i cili ka dalë kundër draftit për Kodin e Ri penal, Berisha tha se ai është një drafi i dalë nga shpellat e mafias.

“Dje në një deklaratë publike, Prokurori i Përgjithshëm me kurajo denoncoi faktin se institucioni i tij apo ai si përfaqësues i akuzës në Republikën e Shqipërisë, nuk kishte asnjë dijeni për kodin Rama-Ulsiu. Pra, kur unë u deklarova ju se ai ka dalë nga shpellat e mafies, sigurisht që pati njerëz të cilët e përcollën me habi.

Por ja pra, unë u them të gjithë atyre që u habitën, tani që Prokurori i Përgjithshëm deklaron se institucioni i tij as që është pyetur ndonjëherë as për konsultë, as për mendim, kuptoni ju se çfarë përfaqëson kodi që të vërtetë shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët. Burg për parkime, burg për faturat e dritave, burg për faturat e ujit, burg për ndërtimin në tokën tënde, në truallin tënd. Pra, dhe përgjysmim i dënimeve për zyrtarët abuzivë”, vijoi Berisha.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?