MAT - Policia e Matit ka shoqëruar një tifoz të dehur gjatë ndeshjes Burreli 2-0 Lushnja, e vlefshme për raundin e 31-të në Kategorinë e Parë. Tifozi me iniciale A.H. gjatë fillimit të ndeshjes ka hedhur sende të forta dhe është konfliktuar me tifozët, teksa pas njoftimit policia ka bërë edhe shoqërimin e tij, me ndeshjen që ka vijuar më pas pa probleme. Tifozi është ndëshkuar me masë administrative për shkelje të nenit 49 "Për sportin".
Njoftimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetin social "Joq Albania", ku bëhej fjalë për dhunë në shkallët e stadiumit të Burrelit, gjatë zhvillimit të ndeshjes Burreli-Lushnjë, sqarojmë se: Shtetasi A.H., në gjendje të dehur ka hedhur në fushë shishe plastike dhe është konfliktuar me fjalë me disa tifozë.
Shërbimet e Policisë bashkiake, kanë kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Mat. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë shoqëruar personin në ambientet e Komisariatit dhe kanë normalizuar situatën në shkallët e stadiumit.
Ndeshja ka vijuar normalisht dhe deri në përfundim nuk janë shënuar incidente të tjera. Në vijim veprimeve shtetasi A.H., është ndëshkuar me masë administrative për shkelje të nenit 49 "Për sportin".