TIRANË- Një 58-vjeçar është ekstraduar nga Greqia në vendin tonë, pasi rezulton i dënuar me 15 vite burg për trafik të miturish. Bëhet fjalë për Kujtim Demirin, i cili është arrestuar më 20 prill 2023 në shtetin fqinj.
Ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në vendin tonë e ka dënuar Demirin me 15 vite burg për veprën penale “Trafikimi të miturve”. Sipas vendimit, Kujtim Demiri ka marrë nga Shqipëria në Greqi fëmijën e mitur H.S dhe e ka shfrytëzuar për të lypur në Greqi nën ushtrimin e dhunës.
“Bashkëpunimi midis Interpol Tirana dhe Interpol Athina mundëson arrestimin dhe ekstradimin e një të kërkuari nga Greqia në Shqipëri Më datë 20.08.2024, pas një bashkëpunimi intensiv dhe shkëmbimi informacioni mes Interpol Tirana dhe Interpol Athina u realizua arrestimi dhe ekstradimi nga Greqia i shtetasit Kujtim Demiri.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më datë 06.01.2018, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin e datës 01.02.2010, e ka dënuar me 15 vjet burg, për veprën penale “Trafikimi të miturve”, parashikuar nga neni 128/b/2 , i Kodit Penal. Sipas vendimit, shtetasi Kujtim Demiri ka marrë nga Shqipëria në Greqi fëmijën e mitur H.S dhe e ka shfrytëzuar për të lypur në Greqi nën ushtrimin e dhunës”, njoftoi Policia e Shtetit më 21 gusht 2024.
Demiri e bleu fëmijën 10 mijë lekë të reja dhe e shfrytëzoi për disa vite për të lypur nëpër rrugët e Greqisë.