Kronikë

U dënua për korrupsion, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për ish-prokurorin e Sarandës Sali Hasa! E kthen në qeli

18 Qershor, 12:51| Përditesimi: 18 Qershor, 15:58

  • Share

Ish prokurori i Sarandës Sali Hasa do të rikthehet në burg. Apeli i GJKKO la në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me 2 vite e 4 muaj burg për ish magjistratin e akuzuar për korrupsion, me ndryshimin që pjesën e mbetur të dënimit ta vuajë në qeli dhe jo në shërbim prove.

31 majin e vitit 2022, shkalla e parë e dënoi Sali Hasën me 28 muaj, por ai kishte qëndruar një vit në paraburgim dhe pjesa e mbetur iu la 4 vite shërbim prove. Për tani pas Apelit ish prokurori do të kthehet në burg për të vuajtur edhe rreth 10 muaj të tjerë. Ai u hetua edhe për fshehje pasurie por u shpall u pafajshëm.

Në vendimin e trupës gjykuese të kryesuar nga Engert Pëllumbi, me anëtarë Igerta Hysi dhe Iliriana Olldashin, konfiskohen në favor të shtetit 1,000 euro, ndërsa i kthehen paratë e tjera të sekuestruar, 10 mln lekë dhe 1000 euro të tjera.

Hasa u arrestua në qershor 2021 pasi ishte përfshirë në një rast korrupsioni pasi ka pushuar një procedim penal kundrejt marrjes së parave për një kriminel. Me të u vunë në pranga edhe 5 të tjerë. Pas arrestimit dhe dënimit, në korrik 2023 Hasa u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa u largua përfundimisht nga sistemi nga një vendim i shkallës së dytë të vettingut, KPA, e cila vendosi shkarkimin 8 korrikun e kaluar.

Njoftimi i gjykatës: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare),  më datë 18.06.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 19 akti, datë 18.02.2025 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 18, datë 23.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin S.H. - disponuar mbi ankimet e paraqitur ndaj vendimit nr. 36, datë 31.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

1.      Lënien në fuqi të vendimit nr. 36, datë 31.05.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin S.H. lidhur me deklarimin e tij fajtor për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e  parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, si dhe llojin dhe masën e dënimit për këtë vepër penale;

2.      Në zbatim të nenit 55, paragrafi 2, të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri S.H. dënohet me një dënim të vetëm prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim;

3.      Në zbatim të nenit 406, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit S.H. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim;

4.      Ndryshimin e vendimit nr. 36, datë 31.05.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën tjetër, në këtë mënyrë:

-          Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin S.H.;

-          Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a”, të Kodit të Procedurës Penale, e lidhur me nenin 36, pika 1, shkronja “ç”, të Kodit Penal, provat materiale, kartëmonedhat në vlerën 1,000 (një mijë) euro, të sekuestruara me procesverbalin e datës 19.06.2021, të konfiskohen dhe të kalojnë në favor të shtetit;

-          Bazuar ne nenin 190, pika 1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, provat materiale, kartëmonedhat në vlerën 1,070,000 (një milion e shtatëdhjetë mijë) lekë dhe 1,000 (një mijë) euro, të sekuestruara me procesverbalin e datës 19.06.2021, t’i kthehen të pandehurit S.H.;  

5.      Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;

6.      Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij;

7.      U shpall në Tiranë, sot më datë 18.06.2025.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?