I dënuar me burgim të përjetshëm, Aldo Bare kërkon ulje të dënimit për sjellje të mirë! Avokati: Do të ankohemi sërish në Kushtetuese

20 Janar 2023, 11:35| Përditesimi: 20 Janar 2023, 13:03

  • Share

ELBASAN- Ish-kreu i bandës famëkeqe të Lushnjës, Aldo Bare vijon betejën e tij për të kërkuar ulje të dënimit për sjellje të mirë gjatë qëndrimit në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Avokati i tij, Oligert Kume tha se në seancën e kësaj të premteje në gjykatën e Elbasanit, administrata e burgjeve dorëzoi më në fund raportin për vlerësimin e sjelljes së Aldo Bares, por mbrojtja kërkoi shtyrjen e seancës duke dashur të ishte njohur më parë me këtë akt.

“Kjo është një ndër seancat gjyqësore lidhur me kërkesën ligjore të Aldo Bares për ulje dënimi. I mbrojturi ka parashkruar një sërë kërkesash për ulje dënimi. Konstatojmë dhe vërejmë se nga Administrata e Burgjeve nuk i vihen në dispozicion aktet apo vlerësimi i sjelljeve. Sot, është shtyrë për shkak se paraqitja e provave ju vu vetëm Gjykatës dhe normalisht duhet koha e duhur. Ne i kemi adresuar prej kohësh administratës së burgjeve, për mosvënien në dispozicion të këtyre pamjeve me argumente paradoksale- tha avokati.

10 vite pas vendimit të marrë nga Apeli në 2012-ën, Gjykata e lartë, në dhjetor të 2022-shit,  la në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm. Gjykata e Lartë e kishte shqyrtuar një herë çështjen e Bares por ishte Gjykata Kushtetuese ajo që e ktheu për rigjykim për shkak se gjeti shkelje procedural. Ndërkohë nga avokati Oligert Kume ka thënë se trupa mbrojtëse e Aldo Bares do t'i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese pasi sipas tij trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë që sipas tij ka marrë vendim të paligjshëm në Dhomën e Këshillimit, duke mos e respektuar një vendim të mëparshëm të Kushtetueses. Gjithashtu është depozituar ankesë në ILD për shkelje të ushtrimit të detyrës pasi nuk është zbatuar Vendimi nr 27 i vitit 2017 i Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese dhe nëse ajo nuk e merr në shqyrtim do i drejtohen Strasburgut.

“Në datën 22 dhjetor 2022 nga Gjykata e Lartë në dhomë këshillimi pa prezencë të palëve është marrë një vendim absurd juridik, sepse është shkelmuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2017 që urdhëronte Gjykatën e Lartë të merrte në shqyrtim dhe njëherë këtë çështjes duke mos i mohuar të drejtën palëve për t’u përfaqësuar dhe bërë një mbrojtje. Është përdhosur një vendim duke bërë një puç kushtetues sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë akte që detyrojnë çdo gjykatë t’i zbatojë.

Trupa gjyqësore që nuk kishte as kualifikimin e duhur për këtë çështjes, pasi dy prej anëtarëve nuk kanë pasur specializimin e duhur. Ata në një hark kohor të shkurtër kanë lënë në fuqi dënimin  kapital. Në do të ndërmarrim hapat tona të nevojshme. Ne do të shkojmë sërish në Gjykatën Kushtetuese, do të njoftojmë edhe ILD-në dhe do të kërkojmë hetim disiplinor. Në Gjykatën Kushtetuese do kërkojmë sërish rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë pasi na janë mohuar të drejtat për mbrojtje, të pavlefshmërisë së provave. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do ta marrë në shqyrtim do t’i adresohemi Gjykatës së Strasburgut për të drejtat e njeriut”, deklaroi avokati i Aldo Bares”, tha avokati i Aldo Bares.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me burg të përjetshëm në shtator të 2022, për Aldo Baren, ish kreun e bandës famëkeqe të Lushnjës. Ky vendim erdhi 10 vite pas vendimit të marrë nga gjykata e Apelit në 2012-tën. Bare bëri rekurs të vendimit me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Lartë e kishte shqyrtuar një herë çështjen e Bares por ishte Gjykata Kushtetuese ajo që e ktheu për rigjykim për shkak se gjeti shkelje procedurale. Aldo Bare u arrestua në Turqi në vitin 2006. Ndërsa kërkesa për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë u pranua në fundin e vitit 2009 kur ish kreu i bandës kriminale të Lushnjës mbërriti me charter në Aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ nën mbikëqyrjen e forcave të shumta të sigurisë.

Po kush është Aldo Bare?

Alfred Shkurti, ish-speciali i forcave RENEA, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshje me armë zjarri. Pas vrasjes se Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares së cilës Drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash.

Kaq mjaftoi që vrasjet më pas të lidheshin zinxhir dhe natyrisht Bare nuk ishte i vetëm në gjithë këtë betejë personale. Sipas prokurorisë, ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e drejtuar prej tij Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun, të gjithë shokë, miq e të afërm të "kokës" së grupit, Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurti.

Më pas kësaj bande iu bashkuan edhe: Maksim Çela, Erion Cici, Dritan Vila, Leonard Prifti, dhe shumë të rinj të tjerë.

Me mbledhjen e këtyre "ushtarëve" përreth "kryetarit", siç e quanin në biseda telefonike Aldo Baren, filluan edhe ekzekutimet në qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij, teksa në kurriz të kësaj bande janë të paktën 20 vrasje, plagosje, rrëmbime dhe gjoba.

Ndryshe nga të gjitha bandat që vepronin në vitin 1997 në vend, banda e Lushnjes, që u drejtua nga Aldo Bare, arriti të krijonte një komisariat të vetin në qytet, atë që mbahet mend edhe si “Komisariati Nr. 2”.

Mbretërimi i tij në qytet zgjati për gati 10 vjet, deri në vitin 2006 ku u godit dhe koka e bandës, Aldo Bare i cili u arrestua në Maqedoni. Aldo Bare qëndroi për shumë kohë në arrati, por në vitin 2006 dhe arrestua në Turqi dhe tri vite më vonë u ekstradua në Tiranë ku edhe u përball me drejtësinë. Aktualisht po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?