I dënuar përjetë, Laert Haxhiu kërkon gjyq nga e para! Dumani: Hetimet për masakrën e Lushnjës të plota! Babai i 32-vjeçarit në gjyq: Unë jam ai që vuaj

5 Nëntor, 11:33| Përditesimi: 5 Nëntor, 14:31

  • Share

Tiranë-“Po dënohem pa të drejtë dhe pa fakte”. Këtë pretendim ngriti në seancë në gjykatën e Apelit të Posaçëm, Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm në shkallën e parë për masakrën e Lushnjes në vitin 2017 me dy të vrarë e dy të plagosur.

Përballë prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Doloreza Musabelli, avokati i Laert Haxhisë, kërkoi riçeljen e shqyrtimit gjyqësor, duke thënë se SPAK nuk ka bërë veprime të plota hetimore.

“Është rasti i parë në historikun e kësaj godine, që ngrihet akuzë pa bërë veprim hetimor.  Kërkoj caktimin e një eksperti për pamjet filmike të karburantit, të përcaktojë nëse është Laert Haxhiu në automjet ose jo”, tha ai.

Për prokurorët, nuk ka vend për rieskperim të pamjeve filmike, pasi ato nuk janë prova e vetme dhe gjatë procesit gjyqësor janë pyetur dëshmitarë të propozuar si nga pala e të pandehurit ashtu edhe nga trashëgimtarë të viktimave.

“Më shqetësoi një fjali e përdorur nga ana e mbrojtjes kur thotë prova ekstra ligjore për devijimin e se vërtetës, ne nuk  përdorim prova ekstra ligjore”, tha Altin Dumani, prokurori dhe kreu i SPAK.

Seanca pati tensione në të cilën u desh ndërhyrja e gjyqtarit Florian Kalaja duke i tërhequr vëmendjen babait të Laert Haxhiut i cili bënte gjestikulacione ndaj të birit dhe avokatit duke i kërkuar me ngulm të flasin për të vërtetën e tyre.

“Unë jam ai që e vuaj këtë zoti gjyqtar”, u shpreh babai i 32-vjeçarit të dënuar.

Seanca u shty për më 13 nëntor, pasi avokati kërkoi të konsultohet në ambientet e burgut 313 me Laert Haxhiun, të dënuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut 7 vite më parë.

Leart Haxhiu ka apeluar vendimin e shkallës së parë që vendosi burg përjetë në mungesë për 32 vjeçarin, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut.

Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme më 24 prill të këtij viti, për atë që është cilësuar si “Masakra e Lushnjes”, ngjarje e shënuar në vititn 2017, ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur. 

Dënimi ndaj tij u dha për kryerjen e një sërë veprash penale si “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ora 11:19
Avokati i tij kërkon riçeljen e shqyrtimit gjyqësor, Laert Haxhiu: Po dënohem pa të drejtë dhe pa fakte

1730802468_learthaxhiu.JPG

Avokati i Leart Haxhiut, Detar Hysi, në seancën e sotme në Apelin e Posaçëm ka kërkuar riçeljen e shyqrtimit gjyqësor, pasi sipas tij SPAK nuk ka bërë veprime hetimore.

Ndërkohë, Laert Haxhiu është shprehur se po dënohet pa të drejte dhe pa fakte.

Pjesë nga diskutimet në senacë:

Detar Hysi: Prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. Kjo vlen edhe për prokuroren e posaçme, që ka kryer 0 veprim hetimor, në akuzën qe vlerësohet në këtë proces. Ka kryer vetëm 3 veprime procedurale jo të karakterit hetimor. E kërkova fjalën për të orientuar gjykatën, përpara se të veprojë mbi kërkesën tonë. Është rasti i parë në historikun e kësaj godine, që ngrihet akuzë pa bërë veprim hetimor.  Kërkoj caktimin e një eksperti të fushës përkatëse. Të ekspertojë pamjet filmike të karburantit, të përcaktojë nëse është Laert Haxhiu në automjet ose jo. Të bëhet një akt ekspertimi nga një ekspert me qëllim zbardhjen e të vërtetës. Qëllimi i bërjes së aktit të ekspertimit është zbulimi i të vërtetës, nëse personat që shfaqen në pamjet filmike të karburantit janë Laert Haxhiu dhe Bilbili.

Laert Haxhiu: Po dënohem pa të drejte dhe pa fakt. Jam dakord me kërkesën e avokatit.

Doloreza Musabelli: Mendojmë që është një kërkesë e pabazuar në ligj. Për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, kërkojmë qe gjykata të mos pranojë këtë kërkesë. Kjo kërkesë është bërë nga avokati edhe në shkallë të parë. Nuk ka vend për rieskperim për pamjet filmike. Gjatë procesit gjyqësor janë pyetje dëshmitar lidhur me pamjet filmike që janë pasqyruar në proces. Pamjet filmike kanë shumë elemente qe nuk janë në foto. Kërkesa të rrezohet për përsëritje të shyqrtimit gjyqësor.

Altin Dumani: Këto pamje nuk janë një provë e vetme. Palët , prokuroria dhe avokati nën drejtimin e gjykatës kanë pasur mundësinë të dëgjojnë edhe dëshmitarët. Nuk është e vërtetë qe gjate shyqrtimit gjyqësor ne shkallë të parë nuk janë pranuar provat e kërkuara nga mbrojtja.

(Trupa gjykuese i tërheq vëmendjen babait të Leart Haxhiut: Mos bëni gjestikluacione).

Babi i Laertit: Unë jam ai që e vuaj këtë zoti gjyqtar.

Florjan Kalaja: Mos më detyroni ta ndërpres seancën për këtë qëllim.

Altin Dumani: Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatit të të pandehurit për ty pyetur disa dëshmitarë, por edhe prova të tjera shkencore dhe shkresore. Edhe trashëgimtarët e viktimave kanë të drejtë të dorëzojnë prova. Prova është marrë të pika e karburantit. Më shqetësoi një fjali e përdor nga ana e mbrojtjes kur thotë prova ekstra ligjore për devijimin e së vërtetës, ne nuk  përdorim prova ekstraligjore, le t’na e thotë zotëria.

Detar Hysi: Kërkoj të konsultohet me klientin tim në ambientet e burgut 313, për vazhdimin e mbrojtjes. Nuk mendoj që për të zbardhur të vërtetën duhet te rrëzohen kërkesat tona. Kërkoj të konsultohem me klientin tim.

Altin Dumani: Kërkesa është e padrejtë. Mbrojtësi ka pasur kohë të përgatitet për mbrojtjen. Jemi njohur edhe me ankimin e hollësishëm dhe të detajuar. Ti jepet kohë të konsultohet me klientin e tij.

Seanca është ndërprerë dhe është shtyrë për në datën 13 nëntor ora 10.00.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 06/11/2024 03:28

    /Une jam qe e vuaj kete/-thote babai!Zoteri,biri jot nuk lindi kriminel,u be ne rruge e siper.Ku ishit ju deri tani ?!

    Përgjigju
  • joti: 05/11/2024 14:14

    Ky vrasës dhe të tjerë si ky duhen pushkatuar sepse mbahen në burg me taksat e popullit gjë që nga dita në ditë rënohet ekonomia.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?