Elbasan- Në kuadër të rritjes së masave të sigurisë në Burgje, ish-komando i Zall-Herrit, i dënuari Neim Avdulaj, është izoluar për 1 vit në regjimin e veçuar "41 Bis", në Burgun e Peqinit.
Vendimi bëhet me dije se “është marrë në kuadër të masave për sigurimin dhe mbajtjen nën kontroll të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë”.
Kjo, edhe e bazuar në dënimin ndaj tij, prej 17 vite e 4 muaj burgim, për ngjarjen e bujshme të muajit shkurt 2017 në rrugën Kashar-Rinas, ku u grabitën me armë nga një grup i strukturuar kriminal, i drejtuar nga i ndjeri Admir Murataj, mbi 3 mln euro të bankave të nivelit të dytë, që po transportoheshin me mjete të blinduara të shoqërive të ruajtjes fizike.
Avdulaj është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 25 mars 2019, që më pas u la në fuqi edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 20, më 12 korrik 2021.
Avdulaj është shpallur fajtor për 3 vepra penale.
Ai është dënuar për “vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit", e kryer më shumë se një herë, në formën e grupit të strukturuar kriminal, "mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", kryer në mënyrë të përsëritur, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal".
Neim Avdulaj, atëkohë 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish-ushtar profesionist në forcat ushtarake te Zallherrit, ishte pjesë e grupit ku një tjetër ish-oficer ushtrie ishte punësuar në policinë private dhe bashkëpunoi me bandën duke sinjalizuar daljen e mjeteve me para.