Objekti i konfiskuar

Kronikë

Hotel, bar e restorant! Konfiskohet pasuria e Arjan Kamanit në Cërrik, i dënuar në Bruksel për prostitucion

24 Qershor, 11:27| Përditesimi: 24 Qershor, 16:48

  • Share

Konfiskohen një objekt dy katësh në pronësi të Arjan Kamanit në Cërrik, i cili rezulton i dënuar për ushtrim prostitucioni në Bruksel të Belgjikës. Bëhet fjalë për një hotel, bar dhe restorant në Malasej të Cërrikut. Sipas Prokurorisë së Elbasanit, Kamani nuk justifikonte pasuritë dhe dyshohet se i ka përftuar nga aktiviteti kriminal në Belgjikë.

“Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.11 të vitit 2020, prokuroria kërkoi konfiskimin e një objekti 2-katësh, bar dhe restorant dhe hotel në pronësi të shtetasit A.K. në zonën kadastrale nr.2559 në Malasej, Cërrik pasi provoi se shtetasi në fjalë nuk justifikon pasuritë e vendosura në vite me të ardhurat. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan kërkoi konfiskimin pasi dyshon se pasuria e shtetasit A.K. rrjedh nga aktiviteti i tij kriminal në Belgjikë.”, njofton Prokuroria.

Kamani rezulton i dënuar me 5 vite burg në Bruksel, si dhe me një gjobë prej 84 mijë eurosh së bashku me të tjerë shqiptarë. 

Njoftimi i Prokurorisë:

Me kërkesë të Prokurorisë Elbasan konfiskohet pasuria: hotel, bar e restorant e shtetasit A.K., i dënuar në Belgjikë për ‘Ushtrim prostitucioni’

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan, u konfiskua pasuria e shtetasit A.K. i dënuar në Bruksel, Belgjikë për veprën penale ‘Ushtrim prostitucioni’.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.11 të vitit 2020, prokuroria kërkoi konfiskimin e një objekti 2-katësh, bar dhe restorant dhe hotel në pronësi të shtetasit A.K. në zonën kadastrale nr.2559 në Malasej, Cërrik pasi provoi se shtetasi në fjalë nuk justifikon pasuritë e vendosura në vite me të ardhurat. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan kërkoi konfiskimin pasi dyshon se pasuria e shtetasit A.K. rrjedh nga aktiviteti i tij kriminal në Belgjikë.

Ky shtetas, rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Bruksel për prostitucion dhe është dënuar me 5 vite burgikm si dhe gjobë prej 84 mijë eurosh së bashku me disa shtetas të tjerë shqiptar.

Hetimet vijojnë për personat e tjerë, të cilët rezultojnë të dënuar së bashku me shtetasin A.K. në Belgjikë.

Ora 16:38
Iu konfiskuan pronat, Arjan Kamami: Vendimi i njëanshëm dhe në shkelje të ligjit, i kam ndërtuar me sakrifica

1750776381_aa.JPG

Arjan Kamami të cilit iu konfiskuan pronat një hotel, bar dhe një restorantë në Cërrik, ka bërë një reagim përmes të cilit e quan vendimin të padrejtë dhe të njëanshëm. 

Kamami thekson se ndërtimi i banesës ka nisur në vitin 2007 dhe është realizuar me kontribute të ndershme nga familja. Ai pretendon se vendimi është marrë pa vlerësuar dokumentacionin dhe kontributin familjar, duke shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë.

Kamami nënvizon se gjatë periudhës 1990–2016 nuk ka asnjë vendim gjykate, masë sigurimi apo procedim penal ndaj tij, duke kërkuar një proces të drejtë dhe të paanshëm.

'Në lidhje me publikimin e vendimit administrativ-penal nr. 11, viti 2020, të dhënë nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjitjshëm të Shkallës së Parë Elbasan, dëshiroj të shpreh publikisht indinjatën dhe shqetësimin tim të thellë për mënyrën e padrejtë dhe të njëanshme me të cilën është trajtuar rasti im. Ky vendim parashikon konfiskimin e vetmes pasuri të familjes sime, një ndërtesë dykatëshe në fshatin Malasej, Cërrik, e ndërtuar në vite me shumë sakrificë dhe kontribut të ndershëm nga unë dhe familja ime.

Kati i parë i kësaj banese është ndërtuar në vitin 2007 dhe i dyti në periudhën 2008–2009. Ndërtimi është bërë me kursimet e familjes, përmes shitjes së tokës bujqësore të përfituar me ligjin 7501, materialeve të shtëpisë së vjetër, shitjes së 12 lopëve, si dhe me kredi bankare që kalojnë shumën e 200 milion lekëve të vjetra. Aktualisht, mbi këtë pasuri rëndojnë 7 milion lekë të rinj kredi të pashlyera, ndërsa vlera e tregut e pasurisë është rreth 12 milion lekë të rinj.

Me një të rënë të lapsit, pa marrë parasysh kontributet dhe dokumentacionin e paraqitur, Gjykata dhe Prokuroria kanë vendosur ta konfiskojnë këtë pasuri, duke shkelur rëndë parimet themelore të së drejtës dhe të prezumimit të pafajësisë që më garantohet si çdo qytetari shqiptar. Dua të theksoj se kam depozituar zyrtarisht korrespondencë me Gjykatën e Apelit në Bruksel si dhe dokumentacion të plotë që ndodhet aktualisht në tryezën e Gjykatës së Elbasanit. Çështja është ende në proces gjyqësor dhe për mua, Arjan Kamami .Saktësoj se për periudhën 1990–2016, nuk ekziston asnjë vendim gjykate, masë sigurimi apo procedim penal në kuptim të ligjit nr. 10192, neni 3', thotë Arjan Kamami. 

Xh.D/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shkelet armëpushimi Izrael-Iran, mendoni se do përshkallëzohet konflikti?