Durrës- Një 60-vjeçar, i dënuar së fundi në Itali, për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, u arrestua nga policia në Durrës.
Burri shqiptar u dënua me 5 vite e 10 muaj burg nga Gjykata e Apelit të Bolonjës për abuzim me vajzën e tij, ngjarje e ndodhur në Itali.
Shqiptari me banim në Durrës ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma më 23 maj të këtij viti, dhe vetëm pak ditë pas dënimit me vendim të formës së prerë, 60-vjeçari u arrestua në Durrës nga forcat operacionale.
Tashmë pritet të kryhen procedurat për ekstradimin e tij në shtetin fqinj.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për gjurmimin për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, siguruan informacion për vendndodhjen e një të kërkuari nga drejtësia italiane.
Bazuar në informacionin e marrë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 46”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi, i shtetasit N.Ll, 60 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 23.05.2025 nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Bolonjës e ka dënuar me 5 vjet e 10 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur” (me vajzën e tij), ngjarje e ndodhur në komunën Noceto, Itali.
Vijon puna për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt Italisë.
Komente
