Policia ka vënë në pranga një 34 vjeçar në qytetin e Laçit i cili ishte në kërkim nga autoritetet italiane.
Gjykata e Apelit e Firences e ka dënuar Everest Aliu alias Everest Veseli me 6 vite e 5 muaj burg, si pjesëtar i një grupi kriminal që kryente vjedhje me thyerje në banesa.
34-vjeçari pritet të ekstrasohet drejt vendit fqinj.
Operacioni u kodua “Operacionalja 43”.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të bashkëpunimit me partnerët italianë, nëpërmjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 43”, lokalizuan në Laç, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin Everest Aliu alias Everest Veseli, 34 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Firences, me vendimin e datës 22.07.2024, e ka dënuar me 6 vjet, 5 muaj e 22 ditë burgim, si pjesëtar i një grupi kriminal që kryente vjedhje me thyerje në banesa. Në muajin shtator të vitit 2014, ky grup ka kryer 12 vjedhje të tilla në banesa në provincën e Florences.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë, për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.
Komente
