Një 41-vjeçar i dënuar për disa vepra të rënda penale është arrestuar në zonën e Qeparos, Himarë nga Forcat e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e policisë së Elbasanit.
Ervis Çela, banues në Peqin, ishte shpallur në kërkim pas një vendimi të Gjykatës së Elbasanit, e cila ka njohur një vendim të formës së prerë të Gjykatës italiane, duke e dënuar atë me 21 vjet burgim. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit, 11 muaj dhe 16 ditë.
Akuzat që rëndojnë mbi të janë “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, mbetur në tentativë, “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Njoftimi i policisë:
Strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për ndalimin e shtetasit Ervis Çela, 41 vjeç, banues në Peqin, pasi Gjykata e Elbasanit ka njohur dënimin e Gjykatës së Italisë dhe e ka dënuar këtë shtetas me 21 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit, 11 muaj dhe 16 ditë burgim, për veprat penale: "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim, "Heqja e paligjshme e lirisë", "Fshehja ose asgjësimi i kufomës", mbetur në tentativë, "Kanosja për të mos kallëzuar", "Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit", dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Komente
